Ndëshkimi që kanë marrë së fundmi nga FIFA në lidhje me federimin e Erald Çinarit në verën e 2018-ës, duket se nuk ka ardhur si “rrufe në qiell të hapur” për Partizanin. Thuhet kështu pasi të kuqtë i kanë bërë parapritë të keqes për të zhbërë vendimin (ku atyre u bllokohet merkatoja për dy sesione) dhe do të kërkojnë gjykim të përshpejtuar në KAS.
Ndërkaq, vetë futbollisti ka pajtuar një studio ligjore franceze për ta përfaqësuar në procesin që do të bëjë edhe ai vetë gjithashtu në KAS-in e Lozanës. Klubi i Partizanit nga ana tjetër do të përfaqësohet në KAS me juristin Gerard Burba, që është njëherazi edhe Sekretari i Përgjithshëm. Përveç bllokimit të merktaos, që konsiderohet si ndëshkimi më i rëndë në procesin që kanë pasur me Istrën, të kuqtë dhe lojtari janë të detyruar të paguajnë edhe një dëmshpërblim prej 80 mijë eurosh për kroatët.
Ndërkohë, Çinari ka edhe një pezullim prej katër muajsh, ku gjithçka ka rrjedhur nga firmat që ka hedhur sulmuesi shkodran, fillimisht tek Alavesh në Spanjë, më pas tek Istra në Kroaci, për të përfunduar te Partizani, ndërkohë që Çinari ka vendosur që në KAS të mbrohet nga avokatë francezë që do të mbrohet për çështjen e dy firmave, ai do të kërkojë edhe heqjen e dënimit prej katër muajsh.
Të kuqtë e ndjenë veten të pafajshëm në këtë proces, ndaj kanë përgatitur një dosje me fakte dhe argumente mbrojtëse në KAS. Në kampin e kuq kanë shumë besim në zgjidhjen e problemit, ndonëse duket serioz, ndaj sipas parashikimeve të tyre, presin që brenda muajit gusht të heqin pezullimin për merkaton në hyrje. Partizani do të kërkojë gjyq me procedurë të përshpejtuar në KAS, me kërkesë parësore pezullimin e efekteve vepruese të ndëshkimit të FIFA-s, që ka të bëjë me zhbllokimin e merkatos.
Por nëse për hapjen e merktos ka optimizëm, ndryshe qëndron puna për fatin e lojtarit, i cili përveç përpjesëtimit të gjobës me klubin, është pezulluar edhe me katër muaj mosaktivizim në asnjë aktivitet sportiv. Në periudhën që Çinari firmosi në Spanjë, nga klubi shkodran u hodhën akuza për falsifikim firmash, pasi letrat që pretendonte se kishte Alavesh, nuk ishin me nënshkrimin e vërtetë të drejtuesve të bashkisë dhe të Vllaznisë. Madje administratori Lici dhe klubi shkodran asokohe patën deklaruar se për firmat e hedhura te spanjollët do të hapej një proces hetimor, por edhe pas dy vitesh nuk ka asnjë vendim të zbardhur.