Linjat luksoze të Singaporit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe duken si linja “low cost” para avionit më të fundit Boeing 747, një mjet fluturues privat që vlen 200 milionë dollarë. Avioni që është pagëzuar “pallati fluturues” i përket familjes mbretërore të Katarit. Blogeri i aviacionit, Sam Chui, ishte ftuar për të realizuar një fluturim ekskluziv në këtë avion përrallor, ku ai ishte udhëtari i vetëm. Në përfundim e përshkroi si fluturimin më të mirë që ka bërë deri tani për këtë vit. Avioni është luksoz përtej çdo imagjinate. Në të përfshihet një dhomë e madhe gjumi me një krevat dopio dhe televizor gjigant, një dhomë konferencash, një zyrë private me tualet ku mund të bësh edhe dush. Dy prej seksioneve me ndenjëse kanë karrige gjigante te rehatshme, ndërsa në dhomën e ngrënies mund të konsumosh ushqim pa e kuptuar fare se po fluturon disa kilometra mbi tokë. Avioni është ndërtuar fillimisht në vitin 1979 dhe është përdorur nga kompania amerikane Pan Am deri sa iu shit familjes mbretërore të Katarit në vitin 1995. Në vitin 2004 iu nënshtrua rimodelimit të parë, ndërsa ndryshime të tjera iu bënë në vitin 2018./a2cnn