Atentati në Shijak ndaj djalit të efektivit të policisë, ende mister motivet dhe autorët. Ja pist…

0
Atentati në Shijak ndaj djalit të efektivit të policisë, ende mister motivet dhe autorët. Ja pist…
Gjigandi

Mbetet ende i veshur me mister atentati ndaj Orlando Paplekajt, djalit të efektivit të policisë, ndodhur mesditën e së shtunës në Shijak. I riu që lëviste me kamionçinë ka pretenduar se nuk ka qenë ai shënjestra e sulmit me armë zjarri në aksin Shijak-Xhafzotaj.

Sakaq policia ka shtrirë hetimet në disa pista, mes të cilave nëse mund të ketë qenë një sulm paralajmërues ndaj punëdhënësit të Paplekajt në pronësi të të cilit është kamionçina që drejtohej prej tij. 31-vjeçari është i punësuar në një kompani të tregtimit të bombulave të oksigjenit që ndodhet fare pranë rrugës ku ndodhi sulmi me armë zjarri, ku fatmirësisht i riu i shpëtoi plumbave.

Ai deklaroi se pa dy persona që nuk i njihte dhe qytën e një arme të dalë nga një thes që qëlloi në drejtim të tij. Ai u manovroi duke ecur mbrapsht me mjetin që drejtonte. Plumbat nuk kanë prekur as mjetin, ndërsa në zonë banorët deklarojnë se kanë dëgjuar 3 të shtëna dhe më pas kanë parë një automjet që largohej me shpejtësi drejt rrugës që del në autostradë.

Gjatë hetimeve nuk është përjashtuar as dyshimi për lidhje të kësaj ngjarjeje të së shtunës me vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj, vrasje që ndodhi dy vjet më parë në Shënavlash të Durrësit. Po burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Orlando, që u gjend nën goditjen e plumbave, nuk ka raport të afërt me familjen e vëllezërve Haxhiaj.

Një lidhje krushqie mes dy familjeve Paplekaj dhe Haxhiaj e ka orientuar hetimin edhe në këtë drejtim, por të dhënat e siguruara dëshmojnë se nuk ka baza që të çojnë drejt kësaj piste për shkak të rrethanave, marrëdhënieve mes palëve dhe pasojave të munguara. Hetimet vijojnë për të zbardhur ngjarjen dhe kapur autorët e saj.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu