Duket se kompanitë “call center” që mashtrojnë shtetasit e huaj në vendin tonë nuk kanë të sosur.
Pas zbulimit të disa kompanive në Tiranë dhe Shkodër, një tjetër kompani e tillë u zbulua gjatë ditës së djeshme në Durrës, në atë që Policia lokale thotë se është goditur “një tjetër rast i përfitimit të shumave monetare nëpërmjet mashtrimeve me anë të platformave elektronike”.
Gjatë operacionit policor të koduar “Call me 3”, përfundoi në pranga administratori i kompanisë, Mario Memaj, banues në Tiranë. Burimet thanë se kompania e drejtuar nga 30- vjeçari prezantohej te klientët e huaj si agjent burse, duke u ofruar atyre që të investojnë në këtë drejtim.
Sapo ata derdhin pagesat, ndërpritet çdo kontakt me ta. Pavarësisht se kompania “call center” ka licencë për të ushtruar aktivitetin, disa prej të punësuarve brenda saj përdorin skemën e mashtrimit të shtetasve të huaj, kryesisht nga Europa Perëndimore. Ka qenë një agjent i infiltruar nga ana e Policisë që ka mundur të zbulojë mashtrimin.
“Vihet në pranga administratori i subjektit që kryente këtë veprimtari kriminale, duke e mbuluar me aktivitetin e ‘call center’. Procedohen penalisht 4 shtetas. Në vijim të operacionit policor të koduar ‘Call me’, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Call me 3’, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit M. M., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryente mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si ‘call center’. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E. B., F. S., E. D. dhe A. D. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, sqaroi Policia.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. l.m