Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka bërë të ditur të enjten se është njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik se nuk ka teste të mjaftueshme për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Në një fjalim në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministri Zemaj ka thënë se mungesa e testeve është shqetësuese. “Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, informacioni i saktë është se mungojnë testet në masë të madhe dhe kjo ka qenë shqetësuese për mua. Sot përmes diasporës shqiptare do të sigurohen 12 mijë teste dhe do të dorëzohen dhe do të vazhdojmë me mbikqyrjen e shpërndarjes së tyre”, ka deklaruar ministri Zemaj.
Përfaqësues të diasporës kanë njoftuar se po këtë ditë kanë dërguar në Kosovë 15,000 teste, për konfirmim të këtij virusi. Prej tyre, 12,000 i janë dorëzuar Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, 2,000 teste do të dërgohen në Maqedoninë e Veriut dhe 1,000 në Luginën e Preshevës. Që nga data 8 shkurt e këtij viti, e deri më 10 qershor, në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës janë testuar 17,479 mostra të dyshimta me virusin. Prej tyre janë konfirmuar gjithsej 1,298 raste me koronavirus. Ndërkohë 913 persona janë shëruar ndërsa 31 pacientë tjerë kanë humbur jetën.
Burimi: top-channel.tv