Analisti Afrim Krasniqi ka qenë i pranishëm sot në konsultën e Shoqërisë Civile me kreun e Gurpit Parlamentar të PS-së Taulant Balla për kandidaturat e Presidentit të ri të Republikës.
Krasniqi është shprehur pesimist për konsultën, ndonëse ka theksuar se e vlerëson si proces. Ai ka thënë se Shoqëria Civile e ka të pamundur të propozojë një kandidat për president, pasi Kushtetuta thekson që presidenti mund të propozohet vetëm me 20 vota nga Kuvendi.
Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se nisma e grupit negociator të PS-së, ngjan më tepër me një “show”.
“Na thoni na dërgoni në e-mailin e partisë një emër, edhe Big Brother kishte më shumë seriozitet. Presidenti është fytyra e shtetit shqiptar. Unë e vlerësoj konsultimin dhe mendoj se është pozitive ajo që ju thatë që duhet të diskutohet për kriteret dhe ajo çfarë pritet. Mosha mbi 40 vjeç është kriter formal.
Në krahasim me procedurën e tranzicionit ne kemi bërë prapakthehu. E shoh pozitive, se në fund fare mund të mblidheshit dhe ta zgjidhnit me 71 vota. Por e drejta jonë për të propozuar na ndalohet me Kushtetutë. Kushtetuta thotë që presidenti propozohet me 20 vota. Këtu fillon dhe mbaron gjithça”,
u shpreh Krasniqi.