Autoriteti Medias Audiovizive i paraqiti komisionit parlamentar të medias raportin vjetor për vitin 2019 ku një vend të veçantë i kushtohet piraterisë televizive.
Në vitin 2019 AMA mori 8 ankesa për 12 subjekte, numër ky disa here më i ulët krahasuar me 3 vitet e shkuara për sa i përket piraterisë nga operatorët kabllor. Këtë numër ankesash AMA e përkthen si një rënie të fenomenit të Piraterisë televizive.
Megjithatë AMA vëren një tjetër formë të re të piraterisë televizive që po gjen përhapje nëpërmjet internetit për të cilën në raportin vjetor thekson se kjo mbetet një sfidë e vazhdueshme që kërkon rritje të bashkëpunimin me institucionet e tjera. Luftën me piraterinë nëpërmjet IPTV, AMA e ka vendosur si objektiv strategjik për tre vitet e ardhshme.
“Pirateria përmes internetit, është një sfide e re për autoritetin, duke qenë se kjo lloj teknologjie e përdorur nga ISP (internet service provider) është shumë e sofistikur dhe kërkon investime në teknologji dhe në burime njerëzore të kualifikuara. Megjithatë, bashkëpunimi me institucione të tjera si AKEP, Polici e Shtetit etj, ka sjelle në bllokimin dhe sekuestrimin e 3 operatoreve ISP, si dhe vendosjen e 2 (dy) masave administrative gjobë me vlerën 5 milion lekë të reja”.
Në vitin e ardhshëm falë dhe memorandumit të bashkëpunimit që do të lidhet midis AMA-s dhe AKEP, ky fenomen do të ketë një qasje tjetër, duke i dhenë një impuls të ri, luftës kundër fenomenit të piraterisë. /Muhamed Veliu/
Burimi: top-channel.tv