Akademia e Shkencave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkruan një marrëveshje në fushën e studimeve albanologjike.
Ky hap krijon kushtet për zbatimin e një sërë projektesh studimore kombëtare, dhe sipas akademikut Skënder Gjinushi janë me rëndësi në dy drejtime.
“Ka një anë pragmatike në kuptimin e lehtësimit të përdorimit të dokumentacionit nga ana e studiuesve. Parashikohen që të zhvillohen dhe aktivitete duke filluar nga ekspozita, konferenca”,
tha Gjinushi.
Drejtori i arkivave Ardit Bido tha se procedura për marrjen e dokumenteve do të jetë lehtësuese për të avancuar në studimet albanologjike.
“Është objektivi ynë kryesor që çdokush të marrë dokumentin më lehtë”,
tha Bido.
Arkivat do të krijojnë mundësi për studiuesit edhe nëpërmjet rishikimit të tarifave.
“Ulje të tarifës së studimit për të gjithë ata të cilët punojnë në kuadër të një projekti shkencor kombëtar”,
tha Bido.
Ky bashkëpunim midis akademisë së shkencave dhe DPA sipas palëve është një bashkëpunim organik i dy institucioneve të cilët sipas Gjinushit nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin.