Qeveria shqiptare vendosi këtë të mërkurë të shpallë datën 2 qershor ditë zie kombëtare, në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili vdiq më 28 maj.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ndërsa, ceremonia e homazheve do të zhvillohet nesër në Tiranë nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.
Vendimi
SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, Z. BUJAR NISHANI, ISH-PRESIDENT, ISH-MINISTËR DHE ISH-DEPUTET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe në vijim të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit, z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ish-deputet.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.
4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Bujar Nishani, i cili shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017, vdiq në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore.
Nishani ka mbajtur edhe poste të tjera të rëndësishme në Qeverinë e Shqipërisë, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.
Pak ditë më parë ai u dërgua në Gjermani për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.
I lindur në qytetin port të Durrësit, Nishani u diplomua në Akademinë Ushtarake dhe më pas u diplomua për Drejtësi. Fillimisht, ligjëroi në Akademinë Ushtarake dhe më pas shërbeu në poste të larta në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë.
Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.
Ndërkaq gjatë vizitës së fundit në Kosovë më 2017, teksa përmbyllte mandatin e presidentit, Bujar Nishanit iu nda mirënjohja “Urdhri i Lirisë”, për kontributin për “popullin shqiptar, angazhimin për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme”.