Në përkujtim të jetës dhe veprës së Sabahajdin Qeska, inspektor për Çështje Komunale, komuna e Rahovecit ka organizuar sot një mbledhje komemorative.
Kryetari Smajl Latifi ka thënë se Sabahajdin Qeska, për 17 vjet ka dhënë kontribut të madh dhe do të mbahet mend përherë nga të gjithë.
“Ai ishte i gatshëm të trajtojë me shumë kujdes interesat e komunitetit që përfaqësonte, të trajtojë me vëmendjen e duhur interesin publik dhe shoqëror para atij personal. Ai do të mbahet gjatë në mend për kontributin e tij në zhvillimin dhe përparimin e komunës së Rahovecit”, ka thënë Latifi.
Në emër të familjes ka folur Agron Berisha i cili ka thënë se Sabahajdin Qeska do të mbetet shembull i mirësisë dhe dashurisë së mirëfilltë.
“Kjo ndjenjë e përzier mes krenarisë dhe pikëllimit sidomos prej ju bijtë e tij, rrit shkallen e përgjegjësisë dhe ju obligon që të vazhdoni rrugën aty ku i ndjeri e la, ajo rrugë është rruga e veprave të mira dhe kontributi për atdheun”, tha ai.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe Besnik Hoti, drejtor i Drejtorisë për Punë Inspektuese.
Ndryshe, Sabahajdin Qeska ndërroi jetë kohë më parë nga COVID-19.