Xhubleta në UNESCO/ Për traditën 4000 vjeçare, flet etnografja: Mos e tjetërsoni

0
Gjigandi

Gazetare: Klea Balliu

Xhubleta, një veshje 4000 vjeçare e trojeve tona, e cila gjendet në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi, më në në fund, u bë pjesë e UNESCO-s. Një lajm mjaft i mirë për etnografinë shqiptare por jo vetëm.

Studiuesit prej kohësh kanë ngritur në majë këtë aset që tashmë mund të krenohemi përballë syve të botës. Ky është momenti ku shteti duhet të ndërhyje nëpërmjet mekanizmave për ta shtrirë dhe gjeneruar të ardhura dhe për tua sjellë edhe të rinjve në mendje xhubletën duke e bërë pjesë të asambleve, veshjeve tradicionale popullore dhe duke ngritur pika që kryejnë prodhimin e tyre në masë.

Në një intervistë për Abc24.al, etnografja e njohur Afërdita Onuzi flet për origjinën e kësaj veshje unike dhe mjeshtërinë e punimit të saj. Ajo tregon se fjala xhubletë vjen nga fjala Xhupetë dhe tregon se kjo veshje peshon 14 deri në 15 kilogramë.

“Fjala Xhubletë vjen nga fjala Xhupetë. Kjo veshje daton mbi 4 mijë vjet më parë. Xhubleta ceremoniale, me stolitë dhe më të gjitha pajisjet e saj shkon deri në 14-15 kilogramë. Ka xhubleta të tjera që mund të jenë më të lehta, më pak të ngarkuara dhe peshojnë më pak”,- tregoi Afërdita Onuzi.

RonaTyra

Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme jo vetëm në trojet Iliro-Shqiptare, por më e pakta në të gjithë Ballkanin. E pyetur se cilat janë karakteristikat që e dallojnë një veshje që të quhet xhubletë dhe që kërkon mjeshtëri të madhe për t’u qepur, Afërdita Onuzi tregon se materiali i vetëm që është përdorur gjithmonë ka qenë shajaku.

“Ajo konsiston në faktin që ka një formë këmbore, është prej leshi të trashë, prej shajaku. Stilimin e ka jo prej një cope të plotë por me rripa të ngushtë shajaku, të cilat ngjiten nëpërmjet disa gajtanave”,- tha etnografja.

Kjo veshje unikale është e ndarë në 5 kategori. Etnografja thekson se vajzat duhet të mbanin vetëm xhubletë në ngjyrë të bardhë, ndërsa pas martesës, gratë e shekullit 20 kishin pesë kategori xhubletash, të cilat ishin:

1.Xhubleta e mirë
2.Xhubleta e pas të mirës
3.Xhubleta e tretë
4.Xhubleta e parakeqja
5.Xhubleta e keqe

“Kush kishte mundësi duhet të kishte deri në 5 kategori, variante xhublete që fillon nga ajo ceremonialja që vishej ditën e dasmën dhe quhej xhubleta e mirë. Xhubletat lidhen me ciklin e jetës. Nëse nuk ke bërë një fëmijë tre vitet e para të mrtesës, ke të drejtën të vishesh si nuse, pastaj është xhubleta e pas të mirës, xhubleta e tretë, e parakeqja (sepse është më e kufizuar në zbukurime) për një moshë më të madhe që shkon deri në 50-60 vjeç dhe pastaj është xhubleta e keqe, për pleqërinë në moshë më të madhe”,- u shpreh etnografja.

Etnografja tregon se kjo xhubletë është e realizuar gjithnjë prej materialit të shajakut. Me ngjyrë të zezë, e qepur, me gajtana dhe material leshi. Gratë që e mbanin, e riprodhonin xhubletën dhe kështu e sollën vit pas vitit. Ao tregon se xhubleta do të vazhdojë të mirëmbahet, do të qëndrojë në arkiv dhe gjithashtu do të vazhdojë të botohet për të.

Sot kjo veshje realizohet nga shumë pak njerëz. Megjithatë, xhubleta, e rrënjosur në alpet e Shqipërisë, ruhet me fanatizëm nga banorët, e pandryshuar deri në detaje dhe e pacënuar nga ndryshimet. Etnografja Afërdita Onuzi u sugjeron stilistëve që punojnë me xhubletën, të mos e ndryshojnë këtë veshje sepse sipas saj, kështu i humbet vlera dhe rëndësia.

“Stlistët nuk duhet ta ndryshojnë këtë veshje, ajo duhet të ruhet me shenjtërinë e saj siç është. Sigurisht mund të ndryshojë material duke qenë se nuk e gjen shajakun e asaj kohe por duhet të jetë përdëri një lloj stofi i trashë, shajak sepse vetëm ashtu e ruan formën e ngurtë, këmbore, të valëzuar në fund. Kështu do të tjetërsohet xhubleta. Ajo është bërë pjesë e UNESCO, pikërisht sepse ka këto tipare”,- sipas etnografes Afërdita Onuzi.

Hershmërinë e xhubletës si veshje iliro-shqiptare e vërtetojnë edhe vetë figurat dhe simbolet e qendisura në xhubletë. Ilirët, si një ndër “fiset” më dinjitoze e trashëguan ketë veshje të fisme per shekuj deri në ditët e sotme. Xhubleta u ruajt me “fanatizëm” dhe u pasurua (në ndertimin e saj) me motive nga më magjepset me karakter hyjnor dhe natyror. Në xhubletë janë përdorur një seri simbolesh si: dielli, hëna, insektet, figura gjeometrike. Çfarë kuptimi kanë? Etnografja e njohur tregon se:

“Këto janë motive që vijnë nga lashtësia, të cilat pasqyrojnë mjedisin rreth e rrotull si përshembull: zogjtë, shqiponja, yjet, dielli, gjarpri, insektet. Është bota bimore dhe shtazore e trajtuar në mënyrë naive, shumë interesante vetëm tek xhubleta”.

Tre ditë më parë, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka dhënë lajmin e mirë në lidhje me Xhubletën shqiptare, e cila u regjistrua në UNESCO. Margariti e ka cilësuar si një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore.

“Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dije bërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s” shkruante Margariti./Abc24.al

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu