Klajdi Bulcari është një 19-vjeçar nga Durrësi, i cili prej disa kohësh po përballet me një sëmundje të rëndë. Megjithatë, ai e ka gjetur forcën për t’ja dalë mbanë te familja dhe te muzika.
Klajdi ka zbuluar se më herët ka qenë Dj dhe këtë gjë vazhdon ta praktikojë ende. Madje në spital ka kërkuar t’i sillnin mixerin për të luajtur muzikë.
“Më thanë që ke një gjendër dhjamore te pjesa e barkut. Ma hoqën gjendrën dhe më pas filluan të më dilnin të tjerat. Nuk po më gjenin rezultatin. Shkova në Stamboll, në Turqi dhe më bën të gjitha analizat. Edhe më shpëtuan me kimioterapi, me fizioterapi që kam bërë për këmbët. Kam bërë 14 kimioterapi. Tani pas kaq kohësh jam mirë. Kam akoma komunikim me mjekët në Turqi. Ata janë habitur që kam filluar kaq shpejt të eci me paterica.
Forcën e gjej te familja, te ata që më përkrahin dhe më duan, edhe te muzika. I kërkova babait tim që e dua mixerin. Ai më tha pse e do, se isha në një moment të keq. Edhe me muzikën harroja gjithçka. U bë 9 muaj në Turqi dhe 6 muaj në spital. Kam filluar që 10 vjeç që merrem me muzikë. Unë Dj e kam pasion që më është kthyer në biznes. Kam performuar nëpër clube, nëpër dasma”, u shpreh 19-vjeçari.