Një shqiptar 48-vjeçar, ortak në një kompani ndërtimi me vëllain e tij, është arrestuar nga policia italiane si autor i dyshuar i vrasjes së shtetasit italian Tommaso Dinit, agjent imobiliar, 50 vjeç.
Shtetasi italian humbi jetën në spital pasi u godit me thikë në Piazza Piave në komunën e Scandiccit, afër qytetit të Firences, natën midis së shtunës dhe të dielës, rreth orës 2, raporton agjencia italiane e lajme ANSA.
Hetuesit dyshojnë se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve mes të dyve në vendin e punës.
Shqiptari ishte banues në Scandicci afër vendit ku jetonte viktima.
Raportohet se pas goditjes me thikë, Tommaso Dini u gjet pa ndjenja dhe u dërgua në spital. Ai kishte lëndime të rënda në gjoks dhe këmbë. Mëngjesin e së dielës ai iu nënshtrua një operacioni por pasdite nuk ia doli të mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Thika me të cilën u krye krimi nuk u gjet.
/abc24.al/