Kanë vijuar hetimet ndaj prindërve të vogëlushes Lily-Mai Hurrell Saint George, e cila dyshohej se ishte vrarë prej nënës së saj vetëm dhjetë javë pas lindjes, si pasojë e depresionit. Lily- Mai lindi para kohe dhe mbahej në inkubator prej më se dy muaj dhe dukej se shëndeti i saj kishte përparuar. Pak ditë pas daljes nga spitali, prindërit e saj raportuan se e vogla kishte ndërruar jetë edhe pse mjekët garantuan se ajo gëzonte shëndet të plotë. Sipas mjekësisë ligjore, Lily- Mai ishte dhunuar për vdekje dhe gjatë ekspertizës u zbulua se kishte pësuar dëmtim fatal në tru, 18 fraktura në brinjë dhe një këmbë të thyer.
Nëna e saj Lauren Saint George, 25 vjeç, u dënua për vrasje foshnjore këtë javë, por u shpall e pafajshme dhe ngjarja u konsiderua si vdekje nga pakujdesia, vendim ky i marrë për shkak se mjekët menduan se nëna e re ishte në gjendje të rëndë psikologjike si pasojë e lindjes së parakohshme. Si rezultat, gjykatësi vendosi që ajo të mos marrë më shumë se një dënim me kusht. Në gjykim për vdekjen e foshnjës nuk ishte vetëm nëna e saj, por edhe babi 25- vjeçar, i cili doli “i pastër” nga hetimet e kryera. Në bankën e të akuzuarve ishin edhe punonjësit socialë në Haringey, e cilësuar si autoriteti lokal më i dështuar për mbrojtjen e fëmijëve në vend.
Pothuajse çdo anëtar i stafit që kujdesej për Lily-Mai në spital, mjekë, infermierë, mami ishin pro heqjes së kujdestarisë së prindërve.
Sipas fjalëve të prokurorit, çifti, prej disa vitesh ishin të pastrehë dhe “të papërshtatshëm për t’u kujdesur për të”. Ajo nuk ishte një nënë normale, dukej që ishte e papreokupuar për t’i vënë nevojat e vajzës mbi nevojat e saj, nuk mund të krijonte një lidhje shpirtërore me të bijën dhe as nuk shfaqte ndonjë interes ndaj saj, ka thënë punonjësit socialë. Nëna e re qëndronte me shpinë nga Lily- Mai, ankohej se e vogla nuk e linte të flinte, pasi rënkonte pafund. Për sjelljen e saj u shkruan raporte, u mbajtën takime dhe spitali iu referua drejtpërdrejt Haringey-t duke shprehur shqetësimin për sigurinë dhe mirëqenien e mundshme të Lily-Mai.
Nga hetimet u zbulua se nëna vuante nga depresioni, është ndarë për një kohë nga i shoqi dhe se kishte një fëmijë tjetër, për të cilin kujdesej vetëm i ati. Megjithatë, paralajmërimet nuk u morën mjaft seriozisht. Gjashtë ditë pasi u largua nga spitali Barnet në vitin 2018, nëna e re telefonoi 999 për të raportuar se foshnja e saj nuk frymonte më. Arsyeja e vonesës në ngritjen e procedimit penal ishte se Policia Metropolitane fillimisht pretendoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta ndjekur penalisht. Ata vepruan vetëm kur, pas një hetimi vitin e kaluar, mjekja ligjore vendosi se Lily-Mai ishte vrarë në mënyrë makabre, shkruan Daily Mail.
Familjarët e tjerë të vogëlushes kanë folur përpara trupës gjykuese dhe janë shprehur se “ ajo u mor mizorisht nga familja jonë nga i vetmi person që duhet ta kishte mbrojtur më së shumti, nga nëna e saj Lauren”. “Lily-Mai ishte vetëm dhjetë javëshe dhe ne duhet ta shihnim atë duke u rritur. Ajo tani do të ishte pesë vjeç”, është shprehur halla e babit të foshnjës së ndjerë.