Mbrojtësi i RB Leipzig, Dayot Upamecano, është përjashtuar me karton të kuq ndeshjen e Bundesligas kundër Paderbornit.
Francezi u largua nga fusha në fund të pjesës së parë (43’) duke i lënë bashkëlojtarët në vështirësi gjatë gjithë gjysmës së dytë.
Përjashtimi i 21-vjeçarit kishte ndodhur për shkak të goditjes së topit teksa ishte i nevrikosur (ndërsa më herët kishte marrë një karton të verdhë dhe kartoni i dytë e largoi nga ndeshja).
Patrik Schick i kishte dhënë epërsi Leipzigut në minutën e 27-të, mirëpo pasi mbetën me dhjetë lojtarë në fushë, skuadra e Julian Nagelsmann nuk arriti ta mbronte epërsinë.
Paderborni që ndodhet në fund të tabelës, arriti që ta merrte një pikë duke e barazuar rezultatin në minutat shtesë me golin e Christian Strohdiek.
Nga minuta e parë në këtë ndeshje luajti edhe mesfushori shqiptar, Klaus Gjasula.