Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, foli në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokoll Balla, në News24, lidhur me largimin e Besa Shahinit si ministre Arsimi në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
Veliaj tha se ky është një vendim ekskluziv i kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, ka të drejtën e ndryshimeve ashtu si Edi Reja me skuadrën e tij të futbollit.
“Ky është një vendim ekskluziv i Ramës, siç është e drejta e Edi Rejës të ndryshojë skuadrën e tij. Më duket më se normale, që teksa futemi në fushatë, ata që s’do jenë pjesë e saj, të kalojnë stafetën te dikush që do jetë pjesë e fushatës. Besoj se secila prej ministreve tona të Arsimit, edhe Evisi që i uroj suksese, krahasuar me ata që s’kanë ndërtuar asnjë shkollë, janë dita me natën. Trajneri i ekipit tonë ka zgjedhur të bëjë një ndërrim të fundit të ndeshjes. Tentativa për të bërë gjëra ndryshe është gjithmonë e lavdëruar. Mund të dështojë, por të paktën nuk je kurrë pishman se dështove”, tha kryebashkiaku.
Më tej, Veliaj vlerësoi sjelljen e fëmijëve në ditën e parë të shkollës, duke thënë se ata do të emancipojnë edhe familjet e tyre.
“Pavarësisht entuziazmit të ditës së parë të shkollës, fëmijët ishin super korrektë. Jemi ndër paktat vende ku duhet t’iu themi të rriturve të sillen si fëmijët. Fëmijët do emancipojnë familjet e tyre. Kam shumë shpresë te fëmijët e këtij qyteti, kjo është arsyeja pse sot iu çova të gjithëve nga një letër të personalizuar”, u shpreh ai.
Pyetje: Një mësuese denoncoi se i bëhet presion…
Veliaj: Ka thënë një të vërtetë qesharake, të tipit ‘unë jam me Covid, pse nuk më keni ftuar në inaugurimin e shkollës’. Patjetër që ajo është me Covid dhe ne nuk e kemi ftuar. Edhe unë ato 3 javë të karantinës nuk u ftova, as vetëftova. Ka mësues që mund të prodhojnë idiotësi të tilla.
Pyetje: Ju i keni shpallur një sfidë Bashës, por ai iu ka injoruar…
Veliaj: Ky është problemi i tij, se injoron çdo sfidë, por do të vijë një ditë që do të ballafaqohemi.