Çmimet e naftës dhe benzinës kanë pësuar një ulje të lehtë këtë të martë pas vendimit të fundit të Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve në Shqipëri.
Sipas vendimit, 1 litër naftë do të tregtohet për 237 lekë [1.92 euro] nga 245 lekë [1.98 euro] që ishte më parë. Për benzinën çmimi do të jetë 211 lekë [1.71 euro] për litër nga 218 lekë [1.77 euro].
Ndërkohë gazi ka pësuar rritje të çmimit duke shkuar në 116 lekë [0.94 euro] për litër nga 110 lekë [0.89 euro] që ishte më parë.
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 29 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Çmimet e ndryshuara do të jenë të vlefshme deri më 31 mars me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të karbranteve dhe të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Ngritja e komisionit për përcaktimin e çmimit të karburanteve, nuk ka sjellë lehtësim në treg. Kjo shihet në krahasim edhe me vendet e rajonit, ku vendi ynë kryeson me naftën e shtrenjtë.
Ditën e sotme pritet të zhvillohet një tjetër protestë në Tiranë, për rritjen e çmimeve.
/abc24.al/