Dalin detaje të reja për zhdukjen e Gëzim Hysajt dhe Agron Mollaj natën e 23 gushtit të vitit 2018. Mësohet nga grupi hetimor se kamerat e sigurisë në të gjithë trajektoren ku dyshohet se kanë lëvizur rrëmbyesit e dy burrave dajë dhe nip, kanë qenë të fikura. Natën e 23 Gushtit kur u zhdukën dy shkodranët dajë e nip 12 kamera sigurie ishin të fikura. Pas 14 muajsh hetuesit kanë zbuluar që mosfunksionimi i tyre nuk ishte një rastësi, por pronarët janë urdhëruar nga dikush. Pronarët e subjekteve u justifikuan fare thjesht, nuk e dimë ç’ka ndodhur. Një burim i tha Abc Neës se bëhet fjalë për kamerat nga kryqëzimi i Dobraçit deri në qendër të Shkodrës, dhe nga kryqëzimi i Rusit deri në Unazë. Është kjo trajektorja ku dyshohet se kanë lëvizur autorët e zhdukjes së Gëzim Hysajt dhe nipit të tij Agron Mollaj në mbrëmjen e 23 Gushtit 2018. Një tjetër element i zbuluar ka të bëjë me vendin ku iu gjet motori i Agron Mollës, 10 ditë më pas. Të njëjta burimi thanë, që mjeti ishte braktisur në fshatin Mjedë në afërsi të Urës së Spatharit, ose i njohur ndryshe për shkodranët dhe banorët e rrethinave si qoshja ku shkojnë për t’u fshehur çiftet. Këto prova dhe të tjera detaje që afrohen publikisht, kanë ngritur dyshime se Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj, janë marrë peng dhe janë ekzekutuar. Por ngërç mbetet fakti se policia nuk ka kufomë në dorë. E fundit dëshmi ishte ajo e gruas së Agronit. Ajo i tha policisë që burri doli nga shtëpia e tij në Dobraç pasi e telefonuan se dikush po i grabiste dajën. Po mbrëmjen e 23 Gushtit 2018 daja Gëzim Hysaj i cili banonte në fshatin Kullaj të Postribës nuk ishte kthyer në shtëpi. Në orën 22:00 të asaj nate telefonat e të dy burrave u fikën, atëkohë dyshimet e grupit hetimor u shtrinë në dy pista që nuk kanë dhënë rezultat akoma. E para, hakmarrje ndaj Agron Mollës për një vrasje të kryer në vitin 1997. Pista e dytë lidhej me të kaluarën e Gëzim Hysaj i cili dyshohej si i përfshirë në disa krime. Gëzim Hysaj ka punuar disa vite si polic, por u lirua nga detyra në vitin 2000. Zhdukja e tyre ndodhi kur në Shkodër u bënë shumë krime të rënda, atentate me bomba apo ekzekutime të frikshme.