Mësuesi i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Dritëro Agolli” në Bilisht u pezullua nga puna ditën e sotme pas akuzave për dhunën ndaj nxënësve.
I kontaktuar me telefon, Alban Fetolli ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.
Ndër të tjera Fetolli shton se të gjitha janë akuza të stisura, gjë për të cilën dyshimet më te forta i ka tek disa kolegë.
“Unë kam 30 vjet që punoj dhe kontribuoj ne arsim dhe kurrë nuk kam pasur probleme të tilla edhe në kohën kur kam qenë drejtues i ZA Devoll apo pozicione të tjera, nuk kam pasur probleme kurrë me kolegët aq më tepër me nxënësit. Prej 30 vitesh punoj me pasion për edukim, nuk kam pasur kurrë as thyerje displinore apo vërejtje për punën time, jam i bindur akuzat janë të stisura nga kolegë, të cilët keqpërdorin fëmijët, koha do ti vërtetojë” tha Fetolli.
Ndërsa i pyetur se çfarë rruge do të ndjekë për personat dhe kolegët që dyshon, nëse do i kallëzojë penalisht për shpifje apo jo, Fetolli shprehet se është duke e menduar këtë të gjë, por ende nuk e ka vendosur. Megjithatë ai këmbëngul se koha do t’i japë të drejtë dhe se në këtë rrugë tashmë ka gjithë mbështetjen e kolegëve të cilët e kanë kontaktuar gjatë gjithë ditës.