Turizëm si në Mesjetë te Kroi i Bardhë në Mirditë! Kimisti tregon disa nga vetitë kurative të ujit: E zbuluan austriakët

0
Gjigandi

Në kufirin ndarës mes Lurës dhe Mirditës ndodhet Kroi i Bardhë, një zonë e cila po tërheq vëmendjen e vizitorëve gjatë viteve të fundit, por problem mbetet mungesa e investimeve.

Ky vend turistik mes malit të Didhës dhe atij të Kunorës, është shumë i përmendur për ujin e rrallë kurativ që ka, por pak i njohur për shkak të rrugës aspak të përshtatshme. Nga Rrësheni deri atje rruga është 55 km e gjatë, ndërsa problem për zonën është edhe mungesa e energjisë elektrike dhe investimeve të tjera serioze, pavarësisht përpjekjeve të bëra vitet e fundit nga vetë banorët.

“BASHKIA TË VËRË DORË”

“Ne kemi nisur në vitin 2013 dhe besoj që kemi arritur të bëjmë diçka, por avash-avash do të vazhdojmë edhe më mirë t’i përmirësojmë kushtet për turistët shqiptarë. Aktualisht jemi me kapacitet të plotë dhe besoj që edhe nga shtatori do të ketë më shumë turistë. Të them të drejtën, klima është shumë e pastër, uji është shumë kurativ nga ana e sëmundjeve të brendshme, sidomos stomaku, veshkat. Kjo zonë, të them të drejtën, për momentin rruga, infrastruktura është shumë e dobët. Besojmë që në ditët në vazhdim Bashkia do të bëjë diçka të mundur, energji elektrike po ashtu”, shprehet Florent Lleshaj, operator turistik në këtë zonë.

ÇFARË THONË VIZITORËT

RonaTyra

Kroi i Bardhë gëzon një popullaritet të madh te njerëzit edhe jashtë vendit, ngaqë shëron disa sëmundje si ato të veshkave, të rrugëve urinare, të stomakut, të laringut, të tiroideve etj. Ata që kanë qëndruar atje, sigurisht në kushte jo të favorshme, shprehen se janë ndier shumë mirë me natyrën bujare dhe se do të vijnë sërish verën tjetër. “Vij një herë në vit këtu dhe qëndroj 15 ditë. Nga thëniet e njerëzve që ky ujë bën mirë shumë, thonë që Kroi i Bardhë bën mirë, Kroi i Zi ka mbytur njerëz. Ne vijmë te Kroi i Bardhë.

Tjetër të veçantë ka natyrën, ka gjelbërimin, ka shumë gjëra, disa i di, disa nuk i di”, thotë një vizitor. Ndërsa një tjetër vizitor tha se “kemi 10 vite që vijmë me familjen pasi uji është i veçantë, edhe klima, ambienti, freskia, temperaturat e përshtatshme për këto ditë të nxehta. Rruga është problem… duhen investime, por shteti e ka në dorë”. Është një rendje prej 30 vitesh drejt këtij destinacioni turistiko-kurativ, 1 350 metra mbi nivelin e detit, me fare pak ndryshime sa i përket infrastrukturës, dritës elektrike, mallrave tregtare.

Duket se askush nga qeverisja vendore dhe ajo qendrore nuk e ka pasur përparësi këtë resurs të largët turistik. “Unë kam ardhur nga Nju Jorku, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të qenë jam mirditor, banoj në Laç. Jam kurioz, kam punuar kameraman në Laç disa kohë. Jam kurioz të filmoj peizazhe, ngjarje, evenimente. Këtu më tërheq gjithçka. Unë kam qenë që në kohën e komunizmit këtu. Është ambienti, ajri, natyra, njerëzit natyrisht, përpara gjithçkaje. Shpresoj të rregullohet infrastruktura duke filluar nga rruga, nga ambientet, nga gjithçka kët”, shprehet një tjetër vizitor.

VETITË KURATIVE TË BURIMIT

“Burimi i ujit daton shekuj më parë dhe ka vlera të jashtëzakonshme kurative dhe shëruese”, thotë kimisti Zef Lleshaj. “Ky burim daton prej shumë vitesh dhe para më shumë se 1 shekulli është njohur si ujë kurativ. Të parët që e kanë zbuluar kanë qenë austriakët gjatë pushtimit që i kanë bërë vendit tonë. Gjithë masivi i Kunorës dhe Lurës, janë shkëmbinj bazikë dhe ultrabazikë dhe detyrimisht këta kanë veti gërryese. Ajo që e veçon është përmbajtja e mikroelementit rodon, i cili është një gaz që e përmban toka. Ka veti të jashtëzakonshme kuruese për çdo pjesë të trupit, ndaj ky vend ka marrë shumë vëmendje gjatë viteve të fundit. Këtu vijnë vizitorë e qëndrojnë për ditë të tëra dhe po të kishte investim ajo çfarë është më kryesorja rruga do të kishte dyndje të madhe njerëzish”, thotë Lleshaj.

LIDHJA ME LIQENET E LURËS

Kroi i Bardhë në verë kthehet në një qytezë me pushues që qëndrojnë për disa ditë në kushte modeste akomodimi. Ka shumë vite që mirditorët kërkojnë që ky vend të shndërrohet në resurs turistik malor, me rrugë të asfaltuar, me shtëpi për pushuesit, me hotele apo kampe. Kroi i Bardhë, si atraksion turistik, nuk ka vetëm ujin e rrallë kurativ, por edhe një sërë vlerash të tjera turistike, si mundësia për hiking për te liqenet e Lurës, në anën tjetër të malit madhështor të Kunorës, eksplorim të shpellave përrallore të Selitës, ndër më të veçantat e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu