Deputetët republikanë i kanë dalë kundër Donald Trumpit duke i kërkuar të heqë dorë prej tërheqjes së pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania.
Trump planifikon të largojë gati 10.000 ushtarë amerikanë të stacionuar në Gjermani. Disa zëra thonë se kjo lëvizje e shefit të Shtëpisë së Bardhë është praktikisht një lloj ndëshkimi për shpenzimet e ulëta të vendit për mbrojtjen. Të tjerë thonë se në këtë mënyrë, ai po kërkon të shfryjë zemërimin e tij për anulimin që kancelarja Merkel i bëri udhëtimit për samitin e G7-s në SHBA për shkak të pandemisë.
Pavarësisht arsyes, duket se vendimi nuk po gjen mbështetjen e republikanëve në kongresin amerikan. Në një letër të gjashtë anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve theksohet, se tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania dëmton sigurinë kombëtare të SHBA. Ata argumentojnë se, ushtarët amerikanë në Gjermani i shërbejnë interesave strategjike amerikane përtej Evropës deri në Lindjen e Afërt dhe Afrikë. Në këto rajone po rritet influenca e Kinës dhe Rusisë, paralajmërojnë deputetët republikanë, të cilët shtojnë se tërheqja e pjesshme e trupave e forcon Putinin.
Qeveria gjermane nuk ishte njoftuar më parë për planet e presidentit amerikanë. Ndërkohë, sipas DW, deputetët demokratë e kanë bërë të ditur, se do ta ndalojnë me ligj tërheqjen e trupave.
Burimi: top-channel.tv