Pas gjimnastit rus, Matvei Petrov, tashmë “adaptojmë” edhe një skiatore të re të huaj, që do të garojë për ngjyrat kuqezi. Fjala është për Lara Colturi, bija e një kampioneje olimpike në këtë sport, e cila ka marrë sot zyrtarisht pasaportën shqiptare.
Kësisoji, nuk ka më asnjë pengesë për të garuar në kompeticione zyrtare nën ngjyrat e flamurit tonë kuqezi. Pas kërkesës së KOKSH, procedurat janë kryer në kohë rekord dhe sot, ministri i brendshëm, Bledi Çuçi, i ka dorëzuar pasaportën Lara Colturi, por edhe mamasë së saj, Daniela, e cila do ta drejtojë tashmë ekipin tonë kombëtar në sportin e skive.
Ja postimi i ministrit Çuçi me këtë rast: “Kënaqësi e veçantë t’i jap pasaportën shqiptares më të re, Lara Colturi, e cila do të garojë shumë shpejt me flamurin tonë kombëtar në sportin e skive. Me kombësi dhe gjithashtu shtetësi italiane, Lara është një sportiste plot talent dhe shumë premtuese, me të cilën Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë një kampione olimpike.
Edhe nëna e Larës, Daniela Ceccarelli, një ish kampione olimpike në sportin e skive, tashmë do të drejtojë ekipin tonë kombëtar në këtë disiplinë. Një falënderim i veçantë për “kumbarin” e kësaj iniciative, presidentin e Federatës së Skive, Elvis Toçi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Falë vendosmërisë së tyre dhe kontributit të çmueshëm kjo nismë u kurorëzua me sukses. Mbarë e mirë në karrierën tuaj tashmë për flamurin kuqezi dhe ta gëzoni pasaportën shqiptare”.