Olsi Teqja ka thënë se nuk ka qenë vetëm ai fajtori në humbjen me përmbysje të Kukësit ndaj Tiranës, kur këta të fundit fituan me rezultatin 2-1, që e rikthyen në minutat e fundit, pasi Teqja ishte ndëshkuar me karton të kuq.
Në një prononcim të dhënë së fundmi, mbrojtësi është shprehur se futbolli i mungon shumë, duke shtuar se tashmë titulli nuk është në dorën e Kukësit, por në dorën e Tiranës.
“Tani u bë një kohë shumë e gjatë në karantinë dhe jemi mësuar. Jemi munduar të stërvitemi në kushtet që kemi, duke bërë edhe pak vrap nga Liqeni.
Futbolli na ka munguar shumë. Uroj që të nisë sa më shpejt, qoftë edhe me stërvitjet, siç janë edhe modelet europiane. Do ishte mirë që shteti të na lejojë të stërvitemi, pasi duhet të jetojmë me këtë virus.
Unë, Rroca, Abazaj dhe Krasniqi, një dit bëjmë vrap nga Liqeni, një ditë stërvitje, ndërsa një ditë luajmë tekboll.
Sezonin e kam gjithmonë para syve, ishim duke kryesuar. Në 3-4 ndeshje ne u ndëshkuam në fund, ndërsa Tirana në fund ia doli të fitojë disa ndeshje. Kartonin e kuq ndaj Tiranës e kam përjetuar shumë keq, si unë edhe familja ime, duke ditur që nga ajo ndryshoi edhe rezultati.
Në karrierën time kam luajtur në kupat e Europës, ku kemi qenë me 2 lojtarë më pak dhe nuk kemi pësuar asnjë gol. Nuk mendoj se isha unë fajtori për ndeshjen me Tiranën, kemi gabuar me epsiode, por edhe unë marr përgjegjësitë e mia. Në 30 prill do kemi një takim me drejtuesit, ku do të flasim për gjithçka.
Titulli? Cilësia e ekipit është shumë e mirë, nuk mund t’i krahasojmë me Tiranën. Megjithatë është në dorë të kundërshtarit, nuk është vetëm në dorën tonë. Kupat e Europës janë një shpëtim për të gjithë futbollin shqiptar.”, u shpreh Teqja për “Supersport”.