Kur bëhet fjalë për telefonat, koncertet dhe festat, është e zakonshme që adoleshentët dhe të rinjtë të dëgjojnë me zë të lartë, sipas studimit të botuar në revistën BMJ Global Health. Studimi nxjerr në pah se mbi 1 miliard njerëz janë të rrezikuar të humbasin dëgjimin.
“Ne vlerësuam se deri në 1,35 miliardë individë të moshës 12-34 vjeç në mbarë botën ka të ngjarë të përfshihen në praktika të pasigurta të dëgjimit,” dhe për këtë arsye janë në rrezik për humbjen e dëgjimit, tha për CNN autorja kryesore e studimit, Lauren Dillard.
Ekspozimi ndaj zërit me volum shumë të lartë mund të dëmtojë qelizat shqisore në vesh, tha Dillard. Nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, ato mund të dëmtohen përgjithmonë, duke shkaktuar humbje dëgjimi, zhurmë në veshët ose të dyja.
Si të parandaloni rrezikun?
1. Ulni volumin dhe dëgjoni muzikë për periudha më të shkurtra kohore.
2. Përdorni kufje cilësore që reduktojnë zhurmat në sfond.
3. Nëse jeni në një koncert ose vend me muzikë të lartë, mund ta mbroni dëgjimin duke qëndruar më larg nga altoparlantët.
4. Nëse jeni në ambiente me shumë zhurmë, shkëputuni hera-herës sa për të “qetësuar” veshët.
5. Përdorni tapa mbrojtës për veshët.