Njerëzit me një nga grupet e gjakut të tipit A, kanë më shumë gjasa të pësojnë një goditje në tru para moshës 60 vjeçare, krahasuar me njerëzit me grupe të tjera gjaku. Në këtë përfundim ka arritur një studim i kohëve të fundit. Llojet e grupit të gjakut përshkruajnë shumëllojshmërinë e pasur të kimikateve, që shfaqen në sipërfaqen e qelizave tona të kuqe të gjakut.
Ndër më të njohurit janë grupet A dhe B, të cilat mund të jenë të pranishme së bashku si AB, individualisht si A ose B, ose të mos jenë të pranishme fare, si grupi O. Edhe brenda këtyre llojeve kryesore të gjakut, ka ndryshime delikate që lindin nga mutacionet tek gjenet përgjegjëse.
Tani, hulumtimi gjenetik ka zbuluar një lidhje të qartë midis gjenit për nën grupin A1 dhe pësimit të goditjes së hershme në tru. Studiuesit përpiluan të dhëna nga 48 studime gjenetike, të cilat përfshinin afro 17.000 njerëz që kishin pasur një goditje në tru, dhe gati 600.000 kontrolle pa goditje.
Të gjithë pjesëmarrësit ishin midis moshës 18–59 vjeç. Një kërkim i gjerë gjenetik zbuloi dy vendndodhje të lidhura fort me një rrezik të mëparshëm të goditjes në tru. Njëra përkoi me vendin ku qëndrojnë gjenet për grupin e gjakut.
Ndërsa një analizë e dytë e llojeve specifike të gjeneve të llojit të gjakut, zbuloi njerëz, gjenomi i të cilëve kodonte një variacion të grupit A, që kishin një shans 16 për qind më të lartë për një goditje para moshës 60 vjeç, krahasuar me një popullatë të llojeve të tjera të gjakut.
Për ata me një gjen për grupin O1, rreziku ishte më i ulët me 12 për qind. Por studiuesit theksojnë se rreziku shtesë i goditjes në tru tek njerëzit me grupin A të gjakut është i vogël, ndaj nuk ka nevojë për vigjilencë apo ekzaminim shtesë në këtë grup.
“Ne ende nuk e dimë pse grupi i gjakut A, mund të sjellë një rrezik më të lartë. Por ka të ngjarë që kjo të ketë lidhje me faktorët e mpiksjes së gjakut si trombocitet dhe qelizat që rreshtojnë enët e gjakut, si dhe proteinat e tjera qarkulluese, të cilat luajnë një rol në zhvillimin e mpiksjes së gjakut”- thotë autori i studimit, neurologu vaskular Stiven Kitner nga Universiteti i Merilendit.
Ndërsa gjetjet e studimit mund të duken alarmante, pra që grupi i gjakut mund të ndryshojë rrezikun e hershëm të goditjes në tru, le t’i vendosim këto rezultate në kontekst. Çdo vit në SHBA, më pak se 800.000 individë përjetojnë një goditje në tru. Shumica e këtyre ngjarjeve –rreth 3 në çdo 4 prej tyre – ndodhin te njerëzit 65 vjeç e lart, me rreziqe që dyfishohen çdo dekadë pas moshës 55 vjeçare.
Po ashtu, njerëzit e përfshirë në studim jetonin në Amerikën e Veriut, Evropë, Japoni, Pakistan dhe Australi, dhe njerëzit me prejardhje jo-evropiane përbënin vetëm 35 për qind të pjesëmarrësve. Studimet e ardhshme me një kampion më të larmishëm, mund të ndihmojnë në sqarimin e rëndësisë së rezultateve.
Goditjet në tru tek të rinjtë kanë më pak gjasa të shkaktohen nga grumbullimi i depozitave yndyrore në arterie (një proces i quajtur ateroskleroza), dhe më shumë gjasa të shkaktohen nga faktorë që kanë të bëjnë me formimin e mpiksjes, thonë autorët e studimit.