Sipas neurologëve britanikë, SARS-CoV-2 mund të shkaktojë dëme serioze në tru dhe sistemin nervor qendror që shkaktojnë psikoza, paraliza dhe hemoragji cerebrale dhe që shpesh konstatohen mjaft vonë.
Fillimisht ishte menduar se koornavirusi prekte rëndë mushkëritë, por më pas u pa se ai godiste në masë të madhe edhe zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat dhe lëkurën. Tani, po dalin në dritë detaje tronditëse për shtrirjen e dëmeve të tij në organizëm.
Studimi i botuar në revistën “Brain” flet për mundësinë e problemeve serioze në tru edhe tek pacientët me simptoma të buta ose tek ata që tashmë janë rikuperuar. Kështu neurologët e Kolegjit Universitar në Londër, diagnostikuan tek më shumë se 40 pacientë britanikë të prekur nga COVID-19 raste të encefalomieliti akut (ADEM).
Kjo sëmundje inflamatore çon në një shkatërrim degjenerativ të sistemit nervor qendror dhe shkakton edhe dëme të nervave në tru dhe të palcës kurrizore.Nga pacientët e ekzaminuar, tek 12 u konstatua inflamacion i sistemit nervor qendror, tek dhjetë një encefalopati e përkohshme e shoqëruar me delire ose psikoza, tek tetë hemoragji cerebrale dhe tetë të tjerë problemet në sistemin nervor periferik.
“Mënyrën sesi COVID-19 sulmon trurin nuk e kemi parë asnjëherë tek viruset e tjera më parë”, tha Dr. Michael Zandi, autori kryesor i studimit. Të pazakonshme konsiderohen mbi të gjitha dëmtimet serioze të trurit edhe tek pacientët me simptoma të buta
Burimi: top-channel.tv