Deputeti Edmond Spaho, ka komentuar incidentin që ndodhi ditën e sotme në Kuvend, ku Sali Berisha ‘përzuri’ nga foltorja Enkeljed Alibeajn.
Në një intervistë për Ora News, Spaho tha se kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, theu rregulloren ndërsa e akuzoi se kjo e fundit së bashku me zëdhënësen e saj përpiqen të mbajnë ndezur frymën e përçarjes brenda opozitës.
Edmond Spaho:
Kryetarja e Kuvendit dhe zëdhënësja e saj, përpiqen të mbajnë ndezur me aq sa munden frymën përçarëse brenda PD-së, duke shkelur në mënyrë të vazhdueshme rregulloren. Edhe sot ndodhi e njëjta gjë. Berishës i takonte replika sepse kryeministri gjatë fjalës së tij u mor me një kohë të gjatë me Berishën. Sipas rregullores replika bëhet në mënyrë të menjëhershme.
Në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri, Spaho tha se opozita nuk mund të jetë pjesë e procesit që po bën Rama, pasi sipas tij ky i fundit e ka zgjedhur se kush do të jetë në krye të shtetit.
Edmond Spaho:
Opozita nuk do të jetë pjesë e këtij procesi sepse e ka zgjedhur Edi Rama. Disa thonë se edhe procesi tek Big Brother është më serioz, sesa ky proces që po organizon Rama. Rama e ka në kokë, edhe emrin, edhe gjininë ne përse duhet të jemi aty?
Rama do të zgjedhë atë që do vet. Edhe ne zgjodhëm Nishanin, por nuk ka qenë kjo situatë. Jemi në kushtet që Rama ka të gjithë pushtetet.
Ai hodhi akuza ndaj kreut të qeverisë duke thënë se është gënjeshtar, ndërsa përmendi dhe marrëvjeshjen për kodin zgjedhor në vitin 2020.
Edmond Spaho:
Ne e dimë që Rama është gënjeshtar. Në 2020 bëmë marrëveshje me Edi Ramën, për kodin zgjedhor dhe e theu. Bëri ndryshimet kushtetuese të cilët i dhanë avantazh atij për të marrë zgjedhjet e 25 prillit. Këto lloj hipotezash nuk qëndrojnë. Rama i ka të gjitha pushtetet dhe do të marrë edhe këtë të fundit.