Skandali me tavanin e normave të interesit/ Banka e Shqipërisë i bën ‘qokën’ Bajram Muçës të ‘Fondit Besa’  

0
Gjigandi

Nuk ka asnjë dyshim dhe ndodhi siç e kishim paralajmëruar. Banka e Shqipërisë nuk ka nguruar që me gjithë premtimet për rishikimin dhe “presionin pozitiv” për uljen e tyre, sërish të shkojë në sintoni me institucionet e mikrofinancave, duke mbajtur një tavan tepër të lartë për normat e interesit të mikrokredive ose kredive konsumatore.

“Priza.al” e kishte njoftuar që në marsin e vitit të kaluar këtë përpjekje të ceo-ve dhe pronarëve të IFJB-ve me në krye atë të “Fondit Besa”, Bajram Muça, të cilët kishin ushtruar të gjithë influencën e tyre deri pranë guvernatorit Gent Sejko dhe Këshillit Mbikëqyrës, për të lënë në fuqi një tavan “optimal” të normave të interesit për kreditë konsumatorë.

Ndryshe nga sa pretendoi dhe reklamoi BSh-ja, se vendosja e një tavani do të vinte në favor të konsumatorëve shqiptarë, sërish norma e cila u la në fuqi me rregulloren e re, nuk favorizon aspak qytetarët, por e bën atë nga më të lartat në Europë për sa i takon mikrokredive.

Gjatë muajit mars 2021, kur nisën të rihapeshin skandalet me kreditë fiktive të disa IFJB-ve, ku më kryesoret ishin ato të shpërndara nga “Fondi Besa”, Banka Qendrore thirri një mbledhje urgjente dhe premtoi rishikimin e rregullave për tregun e mikrofinancave dhe shoqëritë që zhvillonin këtë lloj biznesi.

Por sapo u përmend futja në fuqi e një projekt-regulloreje që deri atëherë kishte mbetur e pazbatuar nga BSH-ja, pronarët e IFJB-ve ushtruan shumë presion dhe kërkuan që ajo të mos miratohej.

RonaTyra

Edhe gjatë kohës që BSh-ja nisi diskutimet me “grupet e interesit”, IFJB-të me në krye “Fondin Besa” arritën që të “bindin” përfaqësuesit e Bankës Qendrore, që sërish normat e interesit të mikrokredive (aty ku është edhe fitimi dhe spekulimi më i madh nga IFJB-të), të mbetej sërish e lartë.

Asokohe “Priza.al” publikoi atë çfarë kishte mësuar nga burime pranë BSH-së, në lidhje me gjithë lobimin e bërë nga drejtuesit e IFJB-ve, për mbajtjen sa më të lartë të tavanit të interesit të mikrokredive, gjë që tashmë u zyrtarizua pas manovrave të Bankës Qendrore.

BSH bëri publike normat e reja, sipas “propozimeve” të vjetra

Sot BSH-ja ka publikuar për herë të parë normat tavan të interesit për kreditë konsumatore.

Norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për shumat deri në 200 mijë lekë, do të jetë 171.41% për kreditë me këste, 19.55% për overdraftet dhe 27.28% për kartat e kreditit. Për shumat në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, NEI maksimal për kreditë me këste, do të jetë 38.79% dhe për overdraftet 16.75%.

Por edhe pse shifrat e paraqitura nga BSH-ja mund të duken si në “larmishme”, mikrokreditë për të cilat aplikojnë konsumatorët e varfër dhe kryesisht ata të zonave rurale për ekonomitë fshatare, janë pikërisht deri tek limiti 200 mijë lekë (2 milionë lekë të vjetra) dhe pikërisht këtu IFJB-të kanë gjithë hapësirën që të abuzojnë me normën e interesit e cila edhe aq sa e parashikon tavani, pra 171.41%, përsëri është shumë e lartë dhe krijon jo pak vështirësi për kredimarrësin.

Për produktet dhe shumat ku numri i kredive të disbursuara në 6-mujorin e mëparshëm është më pak se 1 mijë, Banka e Shqipërisë nuk do të aplikojë treguesin e NEI-t maksimal. Për këtë arsye, ky tregues nuk është vendosur për disa nga produktet dhe shumat e parashikuara në rregullore, si për kartat e kreditit deri në vlerën 2 milionë lekë dhe për të gjitha kategoritë e kredisë konsumatore në intervalin mes dy milionë dhe 10 milionë lekëve.

Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.

Normat e interesit mbeten të larta

Sipas ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare” që hynë në fuqi më 31 dhjetor 2021, NEI maksimal do të llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal do të publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës.

Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën. NEI mesatar i kredive të dhëna në 6-mujorin II të vitit 2021, për kreditë me këste deri në 200 mijë lekë ka rezultuar 128.56%, për overdraftet 14.66 dhe për kartat e kreditit 20.46%.

Për kreditë me këste me vlerë deri në 2 milionë lekë norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 29.09%, ndërsa për overdraftet 12.56%.

NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.

Vitin e kaluar, Shqipëria iu bashkua vendeve që aplikojnë një normë maksimale efektive interesi. Arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka, por që BSH-ja nuk ka guxuar asnjëherë që ti përmend.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.

Rregullorja që ka hyrë në fuqi nga fillimi i këtij viti, parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa).

Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija, që kalonin nëpër një fazë të stërzgjatur të procesit të rikuperimit.

Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cenonte të drejtat e huamarrësve dhe ushqente praktika jo etike biznesi, sidomos nga mbledhësit e borxheve të këqija, e cila vitet e fundit është zbatuar shumë nga IFJB-të, kryesisht nga “Fondi Besa” me klientët e tij.

Por edhe këtë aspekt BSH-ja e ka anashkaluar ose e ka përcjellë pa shumë bujë në rregulloren e re, në një kohë që hapësira e abuzimit dhe e fitimeve të larta nga shoqëritë e mikrofinancave ka mbetur e paprekur.

/Burimi: Priza.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu