U bë shumë zhurmë për kreun e ri të SPAK, por rezultoi shumë zhurmë për asgjë. Procesi në fund zgjodhi një nga prokurorët që ka spikatur për paanësi politike.
Dumani ka spikatur për shumëçka, por jo për varësi nga qeveria, foltorja, vulorja apo ambasada.
Procesi zgjodhi një nga prokurorët më të mirë të vendit në krye të SPAK.
Dumani ka lindur në Dibër. Ai vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit njihet si prokurori që ka drejtuar i i pari njësinë Task Forcë, për të luftuar krimin e jakave të bardha (siç njihen ndryshe zyrtarët e nivelit të lartë)
Altin Dumani e ka nisur karrierën në vitin 1999 në Sarandë dhe sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.
Dumani është një nga prokurorët e vetëm që la “pa fjalë” edhe të dërguarin (vëzhguesin) e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ditën që doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs.
Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.