Shtëpia e Bardhë të mërkurën tha se Presidenti Donald Trump po ngrinte “pyetje që duhen bërë” kur ai ndau një teori konspirative të pabazuar, duke sugjeruar se një protestues i moshuar, i shtyrë nga policia javën e kaluar në Bafalo të Nju Jorkut, mund të kishte qenë një “provokator” antifashist që po përpiqej të bllokonte pajisjet komunikuese të policisë.
“Në çdo rast ne nuk mund të kërcejmë nga njëra anë pa i shqyrtuar të gjitha faktet,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany në emisionin “Fox & Friends”. Ajo tha se 75-vjeçari Martin Gugino, i cili vazhdon të jetë i shtruar në spital me një lëndim në kokë, kishte bërë “disa postime shumë të diskutueshme në Twitter, të shoqëruara me të shara kundër oficerëve të policisë”. “Sigurisht, askush nuk mbështet asnjë lloj dhune”, tha ajo. “Ne kemi nevojë për një nivel të duhur të përdorimit të forcës në çdo ndërveprim. Ka shumë pyetje në lidhje me këtë rast”, shtoi ajo.
Ajo vuri në dukje se pasi dy policët, Aaron Torgalski dhe Robert McCabe, u akuzuan për sulm ndaj zotit Gugino, 57 kolegë të tyre në Ekipin e Reagimit ndaj Emergjencave dhanë dorëheqjen nga skuadra, duke treguar mbështetjen për policët e pezulluar. “Kështu që unë mendoj se duhet të pyesim pse ata oficerë policie dhanë dorëheqjen, çfarë ndodhi, si ishin faktet në terren dhe presidenti thjesht po ngrinte disa nga ato pyetje,” tha zëdhënësja McEnany.
Gugino iu afrua policëve dhe u rrëzua në trotuar nga shtyerjet e tyre, të premten e kaluar ndërsa forcat e zbatimit të ligjit po përpiqeshin të shpërndanin një protestë në Bafalo kundër vdekjes nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj në Minneapolis të Minesotës. George Floyd vdiq pasi një polic i bardhë i vuri gjurin në qafë ndërkohë që ai po thoshte se nuk mund të merrte frymë. Ndaj policit Derek Chauvin janë ngritur akuza për vrasje të shkallës së dytë.
Pas dy javë protestash në të gjithë vendin për vdekjen e tij, disa prej tyre të dhunshme, 46-vjeçari Floyd u varros të martën në Hjuston të Tekasit, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, McEnany nuk u përgjigj në një pyetje gjatë intervistës në kanalin Fox News mbi atë nëse postimi i Presidentit Trump në lidhje me çështjen e zotit Gugino në ditën e funeralit të George Floydit ishte i përshtatshëm. Ajo tha se Presdienti Trump “e ka pranuar kaq shumë herë” padrejtësinë në lidhje me rastin e vdekjes së George Floydit.
Presidenti Trump u kritikua të martën në lidhje me postimin e tij në Twitter, ku ai përmendi një teori konspirative të transmetuar në kanalin One America News, në të cilën thuhej se zoti Gugino “mund të jetë” një “provokator” antifashist. Kanali One America News ka prirje për të mbështetur Presidentin Trump. Zoti Trump tha se Gugino “u shty nga policia pasi dyshohej se po skanonte komunikimet e policisë në mënyrë që të bllokonte pajisjet e tyre”.
Trump shtoi, “unë e pashë se si ai ra më fortë se sa ishte shtyrë. Ai kishte në shënjestër një skaner (të policisë). A mund të jetë kurth? ” Avokatja e zotit Gugino, i cili mbetet i shtruar në spital për shkak të një lëndimi në kokë, dënoi shpejt postimin e Presidentit Trump në Twitter, duke thënë se ishte “një akuzë e rëndë, e rrezikshme dhe e pavërtetë” që zoti Gugino kishte qenë pjesë e një “kurthi” të koordinuar nga demonstruesit antifashistë.
“Martini ka qenë gjithmonë një protestues paqësor sepse është i interesuar për gjendjen e shoqërisë sot,” tha avokatja Kelly Zarcone. “Ai është gjithashtu një banor tipik i Nju Jorkut perëndimor që e do familjen e tij. Askush nga forcat e zbatimit të ligjit nuk ka sugjeruar ndryshe”.
Ish-nënpresidenti Joe Biden, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandat i saj për president në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se babai i tij thoshte se abuzimi i pushtetit ishte “mëkati më i keq që ekziston”. “Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një oficer policie që plagos një protestues paqësor apo një president që e mbron atë me një teori konspirative të parë në televizor (kanal televiziv)…. ne nuk mund ta pranojmë asnjërën”, tha zoti Biden.
Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo dënoi gjithashtu postimin e Presidentit Trump në Twitter. “Nuk ka asnjë fakt për asnjë nga pretendimet e tij. Ai duhet të kërkojë falje për postimin në Twitter. Sa e pamatur, e rëndë, dhe e egër,” tha Cuomo. Ndaj dy policëve në Bafalo, Aaron Torgalski dhe Robert McCabe, u ngritën akuza për sulm pas publikimit në mediat sociale të një video, ku ata shihen duke e shtyrë me forcë zotin Gugino pasi ai iu afrua atyre të premten e kaluar gjatë një prej dhjetra protestave kundër vdekjes nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj në Mineapolis.
Zoti Gugino u rrëzua në trotuar, duke pësuar një lëndim në kokë. Në video shihet se si shumë oficerë të Departamentit të Policisë së Bafalos ecnin pranë tij ndërsa ai po rrinte i shtrirë palëvizur dhe i gjakosur. Policët Torgalski dhe McCabe janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me incidentin. Mediat raportuan se zoti Gugino është një aktivist paqësor në Nju Jork, anëtar i lëvizjes PUSH Buffalo, e cila përqendrohet në strehimin me kosto të përballueshme, dhe Qendrës për Paqe në Nju Jorkun perëndimor, një organizatë për të drejtat e njeriut.
Ai është gjithashtu aktiv në Lëvizjen Katolike të Punëtorëve dhe kritikon shpesh Presidentin Trump në mediat sociale. Presidenti Trump shpesh e ka quajtur lëvizjen antifashiste Antifa si një organizatë terroriste vendase dhe ka thënë me prova të pakta se ata kanë qenë përgjegjës për dhunën që shpërtheu në disa nga protestat në vend pas vdekjes së George Floydit. Në ditët e fundit, protestat kanë qenë kryesisht paqësore me pak arrestime./VOA
Burimi: top-channel.tv