Ministrja shqiptare e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar sot ngritjen e një grupi pune për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve të ardhur nga Ukraina për shkak të luftës.
Grupi i punës i ngritur nga Ministria e Arsimit do të koordinojë punën me strukturat arsimore në çdo bashki për krijimin e një klime pozitive, mbështetëse dhe të sigurt, duke hartuar edhe një program të posaçëm për arsimimin e tyre, Kushi ka thënë në një postim në Facebook pas takimit me Ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov.
“Së bashku me Ambasadorin e Ukrainës Sh.T.Z. Volodymyr Shkurov diskutuam detajet lidhur me organizimin e këtij procesi, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’u ofrojmë gjithçka duhet për një mjedis mikpritës, të ngrohtë e sa më miqësor”, ka theksuar ministrja.
Nuk ka ende shifra zyrtare të numrit të fëmijëve ukrainas në Shqipëri. Ndërkohë që disa javë më parë, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka bërë të ditur se në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina.
/abc24.al/