Nga: Leonora Sula
Tërmeti ka qenë kryefjala e ditëve të fundit në vendin tonë pasi Shqipëria u trondit mbrëmjen e 15 janarit nga një tërmet më magnitudë 4.7 ballë.
Ndonëse qytetarët e panikosur braktisën banesat duke mbushur rrugët pas frikës për një tërmet më të madh, sizmiologët janë shprehur se tashmë nuk ka vend për panik pasi nuk pritet asgjë tjetër përveç pasgoditjeve me magnitudë më të ulët.
Në një intervistë për Abc24.al, sizmiologu Rrapo Ormeni, u shpreh se Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik në Europë prandaj ndodhin edhe tërmete herë pas here. Duke shpjeguar arsyen se pse apo kur ndodhin lëkundjet e këtij aktiviteti sizmik, Ormeni theksoi se tërmetet ndodhin si pasojë e rritjes së sforcimeve tektonike dhe shkëmbi nën tokë nuk e përballon dot sforcimin, në këtë mënyrë ai do të këputet ose thyhet duke shkaktuar kështu lëkundje.
Më tej, sizmiologu është ndalur edhe te zonat sizmike më aktive ku shprehet se ato janë zonat e bregdetit Adriatik dhe Jon, zona Lushnje, Elbasan, Dibër dhe zona Korçë, Ohër.
Intervista e plotë:
- Duke qenë se Shqipëria është goditur nga disa tërmete nga dje dhe sot, do doja t’iu pyesja sa pasgoditje ka pasur të raportuara deri më tani.
Ka patur mbi 90 pasgoditje me magnitudë ditën e sotme deri 3.3 Rihter.
- Cilat pllaka kanë lëvizur dhe në ç’drejtim?
Pllakat që lëvizin janë mikropllaka Adria në drejtim VL dhe Toka Shqiptare në drejtim JP që shkakton lëkundje në thyerje aktive brenda territorit siç është dhe zona e Klosit dhe Burrelit.
- Sa është Shqipëria e prirur ndaj tërmeteve dhe cilat janë zonat më delikate?
Shqipëria është një vend me aktivitet sizmik të lartë në Europë. Ajo bën pjesë në brezin termetor të mesdheut që është një brez sizmik aktiv. Zonat më aktive janë zonat e bregdetit Adriatik dhe Jon, zona Lushnje, Elbasan, Dibër dhe zona Korçë, Ohër.
- Ju si e vlerësoni situatën, do të ketë edhe tërmete të tjera?
Situata do të vijë drejt stabilizimit deri në shuarjen e pasgoditjeve të këtij tërmeti.
- Nga një tërmet i madh sa pritet të zgjasin dridhjet e tokës?
Tërmetet e mëdha si tërmeti i Durrësit më 26 Nëntor të 2019-ës lëkundjet zgjatën rreth 50 sekonda.
- A janë mbikqyrur apo monitoruar banesat të cilat mund të jenë të dëmtuara edhe nga tërmetet e mëparshme?
Zakonisht pas çdo tërmeti banesat monitorohen për dëmtimet e pësuara dhe ku ka dëmtime të mëdha strukturore shpallen të pabanueshme. Në këtë rast evakuohen banorët dhe bëhet rindërtimi i banesës.
- Cili është shpjegimi, pse apo kur ndodhin tërmetet?
Tërmetet ndodhin si pasojë e rritjes së sforcimeve tektonike dhe shkëmbi nën tokë nuk e përballon dot sforcimin ai do të këputet ose thyhet.
- Po vendet e tjera të Ballkanit, si janë në raport me pllakat sizmike?
Vendet e Ballkanit si Shqipëria, Greqia, Mali Zi, Kroacia dhe Italia janë në ballin e kontaktit me Mikropllaken Adria.
- Pse është shpeshtuar dukuria e fenomeneve të termeteve?
Dukuritë tërmetore kanë ciklet e tyre të përsëritjes në disa periudha janë më të dendur dhe në periudha të tjera kemi pak tërmete si boshllëk sizmik.
- Me kë është e ngjashme Shqipëria sa i takon rrezikut nga tërmeti?
Shqipëria është e ngjashme me Greqinë, Turqinë dhe Italinë por, jemi me fat se ndyshe nga këto vende që kanë tërmete mbi 7 Rihter, në Shqipëri janë deri në 7 Rihter.
Nisur nga rasti i fundit i lëkundjeve të tërmetit në Shqipëri, problemi që ngrihet është se për të evidentuar rastet tragjike duhet një kontroll i banesave, duhet një plan konkret nga qeveria për marrjen e masave.
Por një plan i tillë për ne mungon.
E përderisa një gjë e tillë mungon, shqiptarëve nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse për “t’iu lutur Zotit” që t’i ruajë meqë shteti nuk mund t’i paralajmërojë për rrezikun.
Shteti jonë nuk është e nevojshme të shpikë masa, mjafton të shohë se çfarë ndodh në vendet e tjera.
Konkretisht, në Zelandën e re, një akademik vendas tregonte se të gjitha shtëpitë me të ekspozuara, më të dobëta, në zonat më problematike, ishin të shenjuara, madje me hartë interaktive, garantuar nga autoritetet si shërbim.
Ndërsa në Shqipëri, një sërë institucionesh si Ministria e Infrastrukturës, Qeveria, Ministria e Rindërtimit dhe Emergjencat Civile kanë në dorë të parandalojnë dëmet fatale me raportet apo me informacionin e grupimit të banesave të rrezikuara në bazë të terrenit dhe viteve që banesa ka./Abc24.al
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*