Shqipëria “kampion bote” në prodhimin e marijuanës

0
7
Gjigandi

Për herë të parë Antimafia Italiane sinjalizon se paratë e fituara nga aktiviteti i paligjshëm i grupeve kriminale shqiptare në Itali investohen në Shqipëri në asete strategjike si në sektorin e turizmit dhe të ndërtimit.

E reja më e fundit që nënvizon Antimafia Italiane është në ndryshimin e rolit që Shqipëria ka marrë në skenarin kriminal kombëtar e ndërkombëtar të trafikut të drogës duke u bërë vendi tranzit kryesor i trafikut të heroinës nga Afganistani e Azia Qëndrore e grupet kriminale shqiptare në rolin e brokers importojnë sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia për tregun evropian.

Shqipëria është prodhuesi i parë i marijuanës në Evropë e ndër vendet e para në nivel botëror. Grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë ndër më kryesoret e më komplekset në Itali. Trafiku i drogës nga Shqipëria nuk është ndaluar dhe gjatë emergjencës së pandemisë Covid 19.

Këto janë konkluzionet e dala nga raporti i fundit i Antimafias Italiane i cili nënvizon se ka ardhur koha që grupet kriminale shqiptare të konsiderohen mafia.

Gjithashtu Antimafia Italiane konfirmon përdorimin e teknologjisë së avancuar në përdorimin e skafeve me drogë të nisura nga Shqipëria e të telekomanduara automatikisht nga larg e pa pilot.

Departamenti i Antimafias Italiane ka hartuar raportin e dytë gjashtëmujor të vitit 2019 që përmbledh aktivitetin kriminal të mafias italiane e të grupeve mafioze të huaja në Itali në periudhën kohore korrik- dhjetor 2019.

RTV Ora ka mundur të sigurojë raportin prej 888 faqesh në të cilin kriminaliteti shqiptar e Shqipëria janë analizuar në dy kapituj të veçantë.

Antimafia italiane imformon se grupet kriminale shqiptare janë të pranishëm në pjesën më të madhe të territorit kombëtar e janë ndër organizimet etnike më komplekse e të artikuluara të aftë të veprojnë në nivele të ndyshme.

Nga njëra anë shfaqen në aksione individuale apo në bashkëpunim për llogari të të tjerëve e kryesisht në krime specifike, e nga ana tjetër është konstatuar ekzistenca e organizimeve kriminale shqiptare të strukturuara prej shumë kohësh në territorin italian me karakteristika tipike mafioze.

Në lidhje me identifikimin e grupeve kriminale shqiptar si mafia shqiptare, raporti i Antimafias italiane nënvizon se deri më tani nuk ka një vendim gjykate që në marrjen e vendimit kanë konsideruar dhe rëndesën e fajit si grupe mafioze e ndoshta sugjeron raporti “në të ardhmen do të ishte e nevojshme në planin interpretues marrja në konsideratë e termit “mafie jo tradicionale” siç janë mafia Cosa Nostra, Sacra Corona Unita, Ndrangheta, Camora etj) siç u bë me vendimin numër 10/220 i marrë më 16 mars 2020 “.

Sipas Raportit të Antimafias italiane karakteristikë kryesore e kriminalitetin shqiptar është përkatësia e grupeve në bazë lidhjesh familjare ose raporteve të anëtarëve që vijnë nga i njëjti qytet apo zonë shqiptare e që kanë të njëjtin kod sjellje.

Veprimi i aktivitetit kriminal shqiptar shprehet kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike, në trafikun e armëve, në trafikun e qënieve njerëzore si dhe në shfrytëzimin e prostitucionit që shpesh e kryejnë në bashkëpunim ne grupe të tjera kriminale etnike në Itali si ato rumune e nigeriane.

Paratë e fituara nga aktivitetit i paligjshëm, organizatat kriminale shqiptare i investojnë në atdhe, pra në Shqipëri, në asetet strategjike si në sektorin e ndërtimit e të turizmit. Gjithashtu i përdorin për blerjen e heroinës nga Azia e kokainës nga Kolumbia.

Grupet kriminale më të strukturuara shqiptare kanë lidhje në nivel transacional me grupet homologe shqiptare në Vendet e Ulëta, në Belgjikë, në Austri, në Francë, në Spanjë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, e në Ameriknë Qëndrore e Jugore.

Janë organizime kriminale që dialogojnë drejtpërdrejtë me referuesit e tyre në Shqipëri për aktivitetet kriminale më komplekse.

Grupet kriminale shqiptare importojnë drogën kryesisht marijuanë e heroinë nga Shqipëria (vend tranzit) e kokainë nga Vendet e ulëta e në rastet e tjera transportojnë drejtpërdrejtë nga vendet ku prodhohet droga.

Disponibiliteti i armëve, i burimeve financiare edhe i drogës me çmime konkurruese, kanë stabilizuar marrëdhënie të konsoliduara mes grupeve kriminale shqiptare e mafias autoktone italiane favorizuar nga objektivat e përbashkëta të aferave kriminale e mungesa e konfliktualitetit për zotërimin e territorit.

Prania prej një kohe të gjatë në territorin italian ka bërë që grupet kriminale shqiptare të integrohen e të asimilojnë një model sjellje e aftë të veprojë në kontekstet multietnike e në bashkëpunimin me grupet italiane jo mafioze apo të etnive të tjera.

Raporti i Antimafias Italiane ka kujtuar një sërë operacionesh të suksesshme të kryera gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2019 e ku janë zbardhur lidhjet e grupeve kriminale shqiptare me mafian italiane e me grupet kriminale italiane e të huaja me shtrirje në Itali.

Brigjet e Puglias mbetet pika nevralgjike për futjen e drogës përmes rrugës ballkanike nga Shqipëria drejt Italisë.

Një kapitull të veçantë në raportin e Antimafias zë dhe Shqipëria.

“Në panoramën kriminale ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet lideri i prodhimit të marijuanës duke u pozicionuar prodhuesi i parë në nivel europian e ndër të parët në nivel botëror.”

Klanet shqiptare shprehin një aftësi operative gjithnjë e në rritje falë xhiros së biznesit të lëndëve narkotike si dhe shtimit të kultivimit të marijuanë duke përmirësuar cilësinë e plantacioneve duke përdorur rrënjë kanabis që prodhojnë bimë me përqëndrim të lartë të THC.

Sasitë e mëdha të marijuanës të prodhuar në zonat e brendshme të territorit shqiptar importohen në mënyrë konstante në kanalet e tregtimit të saj në Europë në rrugë detare përmes kanalit të Otrantos e rrugës tokësore përmes rrugës ballkanike.

Skafet me drogë nisen nga Durrësi e Vlora e mbërrijnë kryesisht në brigjet puglieze.

Gjithashtu Antimafia Italiane konfirmon përdorimin e teknologjisë së avancuar në përdorimin e skafeve me drogë të nisura nga Shqipëria e të telekomanduara automatikisht nga larg e pa pilot.

Trafiku i drogës nga Shqipëria nuk është ndaluar dhe gjatë emergjencës së pandemisë Covid 19.

Raporti i Antimafias italiane shkruan se dhe pse përmban të dhëna të periudhës kohore korrik-dhjetor 2010 gjatë hartimit e përgatitjes së këtij materiali i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë dhe aktivitetit të mafias autoktone e të huaj gjatë fazës së pandemisë globale.

Shoku social e ekonomik i shkaktuar nga emergjenca shëndetësore ka favorizuar dy skenarë të aktivitet kriminal mafiozë në Itali.

Ai afat i shkurtër në konsolidimin e shtrirjes së tyre në territor përmes konsensusit social me ndihmë të vogla ekonomike që u jepen familjeve më në nevojë e ai afat gjatë në forcimin e fuqisë së tyre ekonomike e financiare deri në nivel botëror.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu