Shpellat mes atraksionit dhe rrezikut të shkatërrimit

0
Gjigandi

Eglantina Bardhi

Shpellat konsiderohen asete të rëndësishme për vlerat natyrore, historike, kulturore, religjioze dhe turistike që mbartin. Ato janë një burim natyror kompleks në ekonominë turistike të çdo vendi. Shpellat janë pjesë e turizmit natyror që është në gjendje të tërheqë turistë. Nga ana tjetër, shpellat janë shumë të rëndësishme edhe për banorët e zonës në të cilat ndodhen pasi zhvillimi i turizmit ndikon në përmirësimin e mirëqënies sociale dhe ekonomike të komunitetit pritës dhe gjithashtu në ruajtjen e biodiversitetit dhe mjedisit. Mbi 5.000 shpella në të gjithë botën fuksionojnë si atraksione turistik dhe të ardhurat nga ky lloj turizmi vlerësohen në rreth 2 miliardë dollarësh.

Shqipëria ka shumë shpella me potenciale të pasura për zhvillimin e turizmit, edhe pse pas viteve ’90 këto gjeomonumente, në mënyrë të veçantë shpellat karstike, pësuan dëmtime të mëdha. Në Shqipëri janë rreth 2000 shpella të identifikuara dhe listuara, por vlerësohet që numri i tyre të jetë disa herë më i madh. Megjithatë deri në vitin 2013 në listën e monumenteve natyrore ndodheshin 73 shpella. Megjithatë kjo pasuri kombëtare ende fle dhe vetëm një ndërhyrje shumëplanëshe ku përfshihen institucionet qendrore dhe lokale, agjensitë turistike, organizatat ambietaliste dhe vetë komuniteti mund ta zgjojë dhe kthejë atë në aset të vërtetë turistik. Ndërhyrjet të tilla si, përmirësimi i infrastukturës dhe lidhja e shpellave me rrugët automobilistike, investimet në ruajtjen e pasurive të tyre, sistemimi i infrastrukturës së brendshme të shpellave, krijimi dhe vendosja e ekspozitave arkeologjike në hyrje të tyre, do t’i kthente shpellat në site arkeologjik të vlefshëm dhe vende të preferuara për turistët.

Një guidë në shpellat më të rëndësishme të Shqipërisë 

Turizmi i shpellave po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe si i tillë vizitorët motivohen të vizitojnë shpellën për veçoritë e saj të qenësishme të peizazhit natyror. Turistët vizitojnë shpellat për qëllime rekreacioni, edukimi, socializimi, aventure apo edhe për dhe qëllime shkencore. Ndër shpellat më të njohura, por edhe me potencial të madh për zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe që rrezikohen të dëmtohen nëse nuk merren masa nga institucionet përgjegjëse qendrore dhe lokale ne do te përmendim dhjetë shpella të shpërndara nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë.

RonaTyra

Ja një guidë e shkurtër nëpër dhjetë shpellat e njohura të vendit:

  • Shpella e Spilesë në Himarë, e shpallur monument culture në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit të Tiranës. Vendasit e konsiderojnë se kjo është shpella e famshme e mitologjisë ku ka jetuar Cikllopit Polifemi i veprës Odisea të Homerit. Nëse kjo shpellë do të ndodhej në çfarëdo vendi tjetër të Botës, patjetër do të ishte kthyer në atraksionin turistik më të famshëm të vendit dhe Rajonit. Por, Shpella mitike që ndodhet në qendër të qytetit të Himarës si rrallë tjetër shpellë është pak e njohur dhe edhe më pak e vizituar. Ato pak ekzaminime sedimentologjikale brenda shpellës kanë dokumentuar veprimtari prehistorike të njeriut që prej Periudhës Mesolitike, 8 mijë vite p.e.s.
  • Shpella e Pëllumbasit ose Shpella e Zezë e kryeqytetit, ndodhet 25 km nga Tirana dhe është një nga shpellat më të njohura në vend. Ajo konsiderohet si vendbanimi më i lashtë i identifikuar në vendin tonë dhe me pasuri arkeologjike pasi në të janë zbuluar gjetje që datojnë më shumë se 10 mijë vjet më parë.
  • Shpella e Nezirit ndodhet rreth 800 m në verilindje të shpellës së Blazit në zonën e Matit. Nga gërmimet e kryera në vitet 1979-1981 është konstatuar se kjo shpellë ka qenë një vendbanim i pasur me jetë mjaft të gjallë. Specialistët kanë përcaktuar gjetje që faktojnë tri periudha: eneoliti, bronzi i hershëm dhe bronzi i mesëm. SIpas tyre, karakteristike për eneolitin është qeramika njëngjyrëshe gri në të zezë, e ngjashme me qeramikën eneolitike të Maliqit. Për periudhën e bronzit të hershëm tipike është qeramika shiritore dhe ajo pseudobarbotine. Qeramika e bronzit të mesëm është punuar më me kujdes, paraqitet e thjeshtë, por më e larmishme nga format.
  • Shpella e Piro Goshit është një nga shpellat karstike më të mëdha të Shqipërisë e cila ndodhet në luginën e lumit të Çorovodës, në Skrapar. Kjo shpellë ka shumë dhoma, kthina, puse e galeri, që zgjaten mbi 120 m. Nga tavani dhe muret anësore varen stalaktite të panumërta një pjesë e të cilave janë bashkuar me stalagmitet duke formuar kolona natyrore përgjatë gjithë shpellës.
  • Shpella e Shkruar ose Shpella e Lepenicës ndodhet në zonën e Vlorës. Muret e shpellës janë të ‘dekoruara’ me 19 figura antropomorfe dhe 8 piktura gjeometrike të konsideruara si pikturat më të vjetra të periudhës së artit post-paleolitik të hasura ndonjëherë në Kontinentin Evropian.
  • Shpella e Vanistrës ashtu si ajo e Piro Goshit konsiderohet si një nga shpellat më të mëdha karstike të vendit. Ajo gjendet në zonën e Gjirokastrës, në këmbët e Malit të Gjerë. Uji që rrjedh nga shpella me gjatësinë 113 m dhe gjerësinë nga 5 deri në 20 m, shfrytëzohet për të ujitur një pjesë të fushës së Dropullit.
  • Shpellat e Velçes në Brataj të Vlorës, janë një mozaik shpellash që janë shpallur si vendbanimet më të hershme në territorin shqiptar. Nga rreth 300 shpella që mendohet se ka kjo zonë të paktën 10 prej tyre janë përcaktuar të kulturës se Neolitit te vone rreth mijevjeçarit III p.e.s. Këto janë shpellat më unikale në Shqipëri bazuar në llojin dhe vjetersinë e tyre dhe ndër më të vjetrat në Evropë.
  • Shpella e Koshorishtit ndodhet në zonën e Çermenikës, 12 km nga Librazhdi. Shpella më e famshme eremite në Shqipëri ndodhet në faqen e malit të Letmit dhe në të ndodhet një nga pikturat më të mëdha shpellore në vend. Gryka e shpellës ndodhet mbi një shkemb të thepisur në një lartësi prej 300 metrash nga baza e faqes jugore të malit. Në shpellën në formë gjysëm-sferike, me dimesione rreth 8m me 5m, dallohen fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere, shenjë se shpella ka qenë e ndarë në dy ambiente. Mbi tavanin e sovatuar të shpellës brenda dy rathëve në formë 8 janë pikturuar dy skena biblike dhe pranë tyre anëtarët e një familjeje që supozohet që të jenë anëtarët e familjes Araniti.
  • Shqipëria është e njohur jo vetëm për pasurinë e shpellave karstike në brendësi të territorit të saj, por edhe për shpellat bregdetare, ku një nga më të famshmet janë Shpella e Piratëve me stalaktite të dendura, ende e paeksploruar në brendësi, pasi thellësitë e ujërave rreth saj shërbejnë si ndalesa për peshkaqenët. Shpella është lehtësisht e arritshme nga plazhi i Jalit, por mund të kundrohet edhe nga lart mbi kodër.
  • Shpella më e madhe dhe më e njohur e bregdetit shqiptar është shpella Iliriane e njohur më vonë si Shpella e Haxhi Aliut në Gadishullin e Karaburunit. Shpella me gjatësi rreth 100 metra zbulon mbrenda saj një liqen në forme elipsi. Shpella është e pasur me histori pasi është vertetuar se ka shërbyer jo vetëm si strehë për detari i famshëm ulqinak

    Haxhi Aliu

    i cili luftonte kundër anijeve të huaja plaçkitëse që tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës, por rreth viteve 15401545, është përdorur nga piratët frëngj për t’u mbrojtur.

Rreziku i dëmtimit të kësaj pasurie natyrore të vendit

Të gjitha shpellat e listuara më sipër, por edhe me dhjetra të tjera në të gjithë vendin kanë marrë statusin e monumenteve të natyrës, por pothuaj të gjitha rrezikohen nga  degradimi si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes dhe investimeve të qëndrueshme, grabitjeve të shpeshta nga kërkuesit e thesareve, apo dëmtimeve me dhe pa dashje nga vizitorët apo banorët e zonave, që tentojnë t’u ‘shkulin’ stakatitet dhe stalakmitet e krijuara prej miliona vitesh apo duke i përdorur si vend strehimi për bagëtitë. Ekspertët dhe natyralistët prej vitesh po e ngrenë zërin që mënyra më e mirë për të mbrojtjen dhe zhvillimin e këtyre monumente është hartimi dhe zbatimi i planeve të plota të të menaxhimit. Një ndërhyrje shumëplanëshe ku përfshihen institucionet qendrore dhe lokale, agjensitë turistike, organizatat ambientaliste dhe vetë komuniteti mund t’i kthejë ato në asete të vërteta turistike. Në planet e menazhimit duhet te parashikohen ndërhyrje të tilla si, përmirësimi i infrastukturës dhe lidhja e shpellave me rrugët automobilistike, investimet në ruajtjen e pasurive të tyre, sistemimi i infrastrukturës së brendshme të shpellave, krijimi dhe vendosja e ekspozitave arkeologjike në hyrje të tyre. Planet e detajuara të menazhimit, të mbështetura me buxhetet e nevojshme, do të ndihmojnë në ruajtjen e vlerave kulturore e natyrore të shpellave dhe do të kthejnë ato në asete të jashtëzakonshme për zhvillimin social-ekonomik të komuniteteve dhe zonave përkatëse. Po ashtu kthimi i shpellave në asete të vërteta turistike pritet që jo vetëm të përmirësojë mirëqenien sociale dhe ekonomike të komunitetit pritës, por edhe të ndikojë në ruajtjen e biodiversitetit dhe mjedisit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu