SHFMU “Dëshmorët e Kombit” e Podujevës e kremtoi Ditën e Shkollës

0
SHFMU “Dëshmorët e Kombit” e Podujevës e kremtoi Ditën e Shkollës
Gjigandi

Sot, më 5 maj 2022, në ambientet e SHFMU “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë u kremtua Dita e Shkollës, që përkon me Ditën e Dëshmorëve- 5 Majin.

Në fillim fjalën e hapjes e mbajti drejtori i kësaj shkolle, prof. Muhamet Jakupi, i cili të pranishmit (nxënës, mësimdhënës, drejtorë shkollash, veteranë të arsimit e të UÇK-së, familjarë të dëshmirëve dhe mysafirë të tjerë) i njoftoi me një historik të shkurtër të shkollës. Në vazhdim me fjalë përshëndetëse u paraqit znj. Marigona Lahu, nënkryetare e komunës së Podujevës e pas saj nxënësit e shkollës nën udhëheqjen e mësimdhënësve dhe të drejtorit Jakupi shfaqën një program artistik me recitale, këngë dhe valle.

E kujtesa jonë kthehet në retrospektivë dhe me ndërgjegje na rikujton se në
vargun e dëshmorëve të kombit, rrinë të rreshtuar bijat dhe bijtë më të denjë të popullit tonë.
Ardhmërinë e sigurtë të kombit tonë e pamë edhe sot në fytyrat e nxënësve llapjanë, si artistë të vegjël secili më talent se tjetri.

Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet, kalojnë edhe shekujt, por kujtimi për dëshmorët e kombit tonë mbetet prore i freskët në mendjet tona, në zemrat tona dhe në kujtesën tonë historike.

Mbetet prore i freskët dhe nuk tretet kurrë edhe malli për bijtë e bijat tona sypatrembura e atdhedashëse. Ashtu si edhe ne, edhe brezat që vijnë, do t’i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë. Liria bashkohet me Atdheun. Gëzim e hare në çdo anë. Dritësim diellor, rreze gjak.

RonaTyra

Liria ndërtohet me sakrifica, me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kështu pat thënë dikur një mendje e urtë. Kurse ne sot duhet ta dimë se dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir.Të këtij populli që luftoi parreshtur për liri shekuj me radhë.

Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit. Ata jetuan për ne.I kemi prore gjithkund e gjithherë.Të tillë i kemi bijtë dhe bijat tona syshqiponjë.Të gjallë përherë në kujtesën tonë. Me flamuj kuq e zi në duar, me një diell në gji, me një rreze në ballë, lundrojnë dëshmorët mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal. Rendin dëshmorët për lirinë. I ke atje, këtu. Një varr, një gur, një lapidar, një përmendore. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, që u bënë flakadanë të përjetësuar.

Lapidarë lirie i kemi në shpirt dhe në zemër, për të cilët kemi mall, por edhe jemi krenarë. Ata sot dhe gjithmonë, Kosova, Shqipëria dhe tërë Kombi Shqiptar i kanë dhe do t’i kenë Diell Lirie me rreze të dëlira, me dritë lirie.
U ndamë nga kjo e kremte tejet të ngazëllyer duke mos harruar për asnjë çast se vetë
Dëshmorët e Kombit tonë na e sollën lirinë, prandah ata janë vetë liria jonë.
Kolektivit nxënës-arsimtarë të SHFMU “Dëshmorët e Kombit” të Podujevës i urojmë suksese të mëtejme dhe shëndet e mirëqenie.
Lavdi dëshmorëve të atdheut!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu