SHBA, shkon mbi 4 milionë numri i të infektuarve me Covid-19

0
Gjigandi

Të enjten numri i të infektuarve nga koronavirusi shkoi më shumë se 4 milionë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një moment të tillë, ku rastet e reja të infketimit rriten çdo ditë, vendi po përballet me një papunësi të lartë ku mijëra amerikanë kanë aplikuar për ndihmën federale. Aplikimet e shumta kanë bërë që ligjvënësit në SHBA të shikojnë mundësinë për një tjetër paketë shpëtimi nga pandemia.

Sipas universitetit John Hopkins, SHBA është gjithashtu vendi me numrin më të lartë të vdekjeve nga Covid-19, ku deri tani janë regjistruar rreth 143 mijë të vdekur. Pas SHBA-së rendiet Brazili me 82 mijë e 771 të vdekur nga koronavirusi.
Rritja e nivelit të papunësisë
Krahas rritjes së infeksioneve me koronavirus, u shënua gjithashtu një rritje e mprehtë e numrit të shtetasve amerikanë që aplikuan për pagesën e papunësisë javën e kaluar. Departamenti i Punës raportoi të enjten se rreth 1.4 milionë amerikanë kanë aplikuar për pagesën në rast papunësie, duke i dhënë fund 15 javëve rresht gjatë së cilave ishte shënuar një rënie e numrit të të papunëve. Shifrat zhgënjyese të papunësisë u publikuan ndërsa shumica në Senat e udhëhequer nga Mitch McConnell përgatitej të bënte publik të enjten një paketë të re ndihme prej 1 trilion dollarësh. Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miratoi një paketë shpëtimi prej 3.5 trilionë dollarësh dy muaj më parë dhe ka bërë thirrje për me shumë fonde për të ndihmuar shtetet e qeveritë lokale. Por Senati i udhëhequr nga republikanët këmbëngul në kufizimin e fondeve në rreth 1 trilion dollarë dhe përdorimin e parave për mbështetjen dhe mbrojtjen ligjore të shkollave, bizneseve dhe shoqatave bamirëse që kanë vendosur të rihapen.
Numër rekord vdekjesh
Ndërkohë SHBA shënoi një zhvillim të zymtë të mërkurën duke regjistruar më shumë se 1 mijë vdekje për të dytën ditë me radhë. Kalifornia tejkaloi Nju Jorkun për nga numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus. Shteti perëndimor ka mbi 422 mijë raste, përfshirë më shumë 12.100 që u regjistruan të mërkurën, një shifër ditore rekord, ndërsa Nju Jorku ka më shumë se 413 mijë raste që prej fillimit të pandemisë. Presidenti Donald Trump bëri të ditur të mërkurën vullnetin e qeverisë amerikane për të siguruar një ndihmë shtesë prej rreth 5 miliardë dollarësh në pajisje e trajnime, për shtëpitë e pleqve, shumë prej të cilave janë pikat e nxehta të pandemisë. Sipas vlerësimeve të agjencive federale, 37 mijë të vdekur si pasojë e koronavirusit në rang vendi ishin banorë të shtëpive të pleqve. Azilet përfituan rreth 5 miliardë dollarë fonde që u miratuan nga Kongresi më parë gjatë këtij viti.
Progresi me vaksinat
Të mërkurën qeveria amerikane njoftoi se do t’i paguajë 1.95 miliardë dollarë prodhuesit të ilaçeve “Pfizer” dhe kompanisë gjermane “BioNTech” për 100 milionë doza të një vaksine kundër COVID-19, nëse provat klinike do të tregojnë se ajo është e sigurt dhe e efektshme. Ndërkohë të enjten Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim lëshoi një raport ku rekomandonte se gati 3 miliardë njerëz nga më të varfrit në botë, duhet të marrin të ardhura të përkohshme për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së koronavirusit. Në raport thuhet se 199 dollarë në muaj do t’i jepnin 2.7 miliardë njerëzve të ardhura bazë dhe “mundësi që të blejnë ushqime e të sigurojnë shpenzime për kujdesin e tyre shëndetësor e arsimim”.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu