Të sharat ndihmojnë për t’u liruar nga stresi në vendin e punës, ka dëshmuar hulumtimi i kryer në universitetin East Anglia në Norwich. Hulumtuesit rekomandojnë që të punësuarve, të cilët shajnë, t’u mundësohet që pa pengesë të lirojnë stresin në atë mënyrë, madje, ata rekomandojnë që të nxiten për të sharë, nëse kjo u ndihmon në punë.
Sharja e rregullt mund të forcojë solidaritetin dhe unitetin brenda punëtorëve dhe mundëson shprehjen e ndjenjave si p.sh. dëshpërimin, dhe me këtë zhvillohen marrëdhëniet më të mira shoqërore në mes të punësuarve, thonë shkencëtarët.
“Sharja gjithsesi duhet të evitohet apo të ndalohet në prani të palëve dhe shefave”, thotë profesori i zhvillimit të ndërmarrjeve, Yehuda Baruch.
“Megjithatë, hulumtimi ynë dëshmon që, në të shumtën e rasteve, mënyra e ndaluar e shprehjes u ndihmon njerëzve të zhvillojnë ndjenjën e solidaritetit dhe liron nga stresi. Ndalimi i sharjes do të mund të ishte i dëmshëm”, ka sqaruar Baruch.
Udhëheqësit e drejtorisë duhet të dinë se çfarë është marrëdhënia e të punësuarve të tyre në raport me sharjen.
Ata duhet të mësojnë të njohin situatën në të cilën duhet t’i mbyllin sytë ndaj asaj që sipas tyre është mënyrë e papranueshme e komunikimit”, ka thënë profesori Baruch duke shtuar se, disa të punësuar, “kryesisht ata në poste më të ulëta” shajnë shumë, por jo në mënyrë fyese.
Pos kësaj ai ka shtuar se, gratë shajnë më shumë sesa do të pritej tradicionalisht prej tyre, e posaçërisht kur janë në shoqëri me gjininë e njëjtë.