Izolimi strikt i vendosur në Filipine ka ndërprerë krejtësisht aksesin në shërbimet e planifikimit familjar dhe mund ta çojë në numrin më të lartë të lindjeve në vend, në dy dekada.
Kufizimi i lëvizjeve i vendosur në mars, ndaloi pacientët por edhe stafin mjekësor të arrijnë në klinika për muaj dhe tani janë konstatuar mungesa prezervativësh dhe kontraceptivësh të tjerë në treg, në shumë zona. Vendi me shumicë katolike ka regjistruar më shumë se 35400 raste të koronavirusit me rajonin e kryeqendrës, Manila, të goditur më rëndë.
Në total janë regjistruar 1244 viktima. Edhe pse masat e karantinës janë zbutur që atëherë, transporti publik mbetet i ndaluar dhe disa shërbime të planifikimit familjar janë hapur me staf të reduktuar për të lejuar hapësirë për distancimin social. Veçanërisht në provincat në ishuj dhe në zonat rurale, larg kryeqytetit, nuk mund të gjenden më në treg prezervativë dhe kontraceptivë.
Vlerësohet, se numri i grave të cilave u është penguar aksesi te planifikimi familjar është rritur me një të pestën gjatë izolimit. Dhe sipas parashikimeve të universitetit të Filipineve tani, 214 mijë bebe më shumë mund të lindin vitin e ardhshëm si rezultat i shtatzënive të paplanifikuara të shkaktuara nga pandemia. Kjo do të thotë se mund të ketë rreth 1.9 milionë lindje në 2021, më shumë se çdo vit tjetër.
Burimi: top-channel.tv