Home Sport Sarri nuk i plotëson parashikimet

Sarri nuk i plotëson parashikimet

0

Te Juventusi ka një çështje Maurizio Sarri. Trajneri italian mori drejtimin e bardhezinjve verën e kaluar dhe të gjithë prisnin një ndryshim për mirë, të paktën në aspektin estetik të lojës së kampionëve të Italisë.

Diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe Juventusi ka dështuar në dy objektivat e para të sezonit. Skuadra humbi finalen e Superkupës kundër Lazios dhe atë të Kupës së Italisë ndaj Napolit.

Fitimi i Serie A është një mision i vështirë. Gara me Lazion dhe Interin do të jetë e ashpër deri në fund, duke vënë në dyshim dominimin e “Zonjës së Vjetër” në Itali. Skuadra nuk ka bindur as në Champions League, që është objektivi madhor.

Kualifikimi në çerekfinale është vështirësuar dhe në gusht duhet përmbysur humbja 1-0 në Francë kundër Lyon. Rikthehemi te Sarri. Tifozët nuk e duan më, madje nuk e durojnë fare. Klubi mendon ndryshe dhe nuk do ta shkarkojë pa u mbyllur sezoni.

Andrea Agnellit nuk i pëlqen të bëjë ndryshime në stol gjatë sezonit dhe nuk pritet të rrëmbehet nga inati i tifozëve. Gjithsesi, përtej rezultateve, drejtuesit i shqetëson mungesa e lojës së skuadrës. Juventusi nuk po arrin të shfaqë potencialin që ka dhe Sarri cilësohet si fajtori kryesor.

Një ndër personat që beson ende te trajneri është Fabio Paratici, drejtori sportiv i bardhezinjve. Të tjerët janë lëkundur dhe Sarri nuk po i bind. Drejtuesit shpresojnë që skuadra të arrijë të fitojë titullin kampion dhe të mbërrijë në finalen e Champions League.

Diçka e tillë është kthyer në detyrim për Maurizio Sarrin, përndryshe ai do të shkarkohet në fund të sezonit, duke i dhënë fund në mënyrën aspak më të mirë aventurës së stolin e klubit të madh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here