Gjykata e Sarandës vendosi të enjten caktimin e masës së sekuestros paraprake për një sipërfaqe toke prej 10 230 m2, në zonën Turizëm-Kanal i Çukës, në afërsi të vijës bregdetare.
Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Sarandës, sipas së cilës “pasuritë janë objekt hetimi dhe dyshohet se janë regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës bazuar mbi dokumenta të falsifikuara”.
Sipërfaqja e sekuestruar ishte pjesë e zonës së gjelbër të Bashkisë së Sarandës dhe dyshohet se u tjetërsua dy vite më parë nga tokë shtetërore në pronësi të individëve, të cilët më pas ndërtuan objekte banimi.
Një ditë më parë prokuroria lëshoi urdhëra ndalimi për 10 persona të dyshuar për këtë tjetërsim toke për veprat penale “shpërdorim i detyrës”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “falsifikim i dokumentave”.
Bazuar në këto urdhëra, policia ndaloi të mërkurën Drejtorin e Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës Pandi Zhonga, juristen e Zyrës së Kadastrës Rovena Alikaj dhe noterin Aleko Anagnosti që akuzohen “për shpërdorim detyre”, si dhe personat që dyshohet se kanë përfituar nga ky tjetërsim: Fredi Mërkurin, Valter Llomin dhe Argonida Canaj, të cilët akuzohen për “falsifikim dokumentash”. Në kuadrin e hetimeve janë shpallur në kërkim edhe ish-drejtori i Kadastrës Ardian Kola dhe dy biznesmenët Behar dhe Bedri Muçobega.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Sarandës dyshohet se tjetërsimi i sipërfaqes së tokës, tashmë nën sekuestro paraprake, është kryer përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrën e kadastrës./VOA