Samiti BE/ Bisedimet hyjnë në ditën e katërt

0
Gjigandi

Drejtuesit e Bashkimit Europian dështuan edhe të dielën të arrijnë një marrëveshje mbi një paketë të rimëkëmbjes ekonomike. Negociatat u zgjatën sërish duke u shtyrë për ditën e sotme.

Samiti që nisi në 17 korrik, fillimisht qe planifikuar të zgjaste vetëm dy ditë, por në mungesë të një marrëveshjeje, liderët e BE-së janë pajtuar t’i zgjasin bisedimet. Kryesuesi i samitit, Charles Michel, u tha 27 udhëheqësve të bllokut se më shumë se 600,000 njerëz kanë vdekur si rezultat i koronavirusit në të gjithë botën, dhe se ishte përgjegjësia e tyre të qëndrojnë së bashku në këtë kohë krize.
“Shpresa ime është që ne të arrijmë një marrëveshje dhe që lajmi nesër të jetë se BE-ja e ka realizuar misionin”, tha Michel. Në takimin e së shtunës, tensionet u rritën kur kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u larguan nga mbledhja, së bashku me katër shtete të pasura, me qëllimin të gjenin kompromisin mbi kufizimet që duhen vendosur për grantet dhe për kriteret ndaj shteteve që do të marrin ndihma për të tejkaluar krizën ekonomike që është shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Çështja kryesore është se sa pjesë të fondit të rikuperimit do të shpërndahen si grante dhe sa si kredi. Plani i rimëkëmbjes, i cili mbështetet nga Franca dhe Gjermania, aktualisht parasheh 500 miliardë euro grante dhe subvencione dhe 250 miliardë euro kredi. Shtetet me kursimtare si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave, ndërsa shtetet e jugut, si Italia dhe Spanja, pretendojne se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu