Sa ka Kosova kapacitete për menaxhim klinik të koronavirusit?

0
Gjigandi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), për menaxhimin klinik të rasteve me koronavirus, ka në dispozicion 125 shtretër, me mundësi të shtimit deri në 300, dhe 162 respiratorë në rast të rritjes së numrit të të infektuarve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë të përgatitur për menaxhimin klinik të koronavirusit.
Ai thotë se në vazhdimësi janë duke u pajisur me gjërat e domosdoshme që kërkohen për trajtimin e këtij virusi.
“Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 edhe infrastruktura shëndetësore në Klinikën Infektive ka filluar të ngarkohet. Në Klinikë ka në dispozicion 125 shtretër, ndërsa më qëllim të ballafaqimit të fluksit eventual të numrit të rasteve me COVID-19, do të rikthehen në funksion Klinika e Pulmologjisë, Klinika e Dermatologjisë dhe Instituti i Mjekësisë Sportive, i cili i ka dhomat me oksigjenoterapi, me shtretër të rinj. Të gjitha këto kapacitete bëjnë që të ketë rreth 300 shtretër për raste të reja me COVID-19”, thotë Hoti.
Numri i shtretërve, shton Hoti, mund të rritet deri në 500 sosh, duke llogaritur këtu shtretërit në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit – reparti i sëmundjeve ngjitëse, spital ky i cili po ashtu është marrë me trajtimin e rasteve me koronavirus.
Sa i përket numrit të respiratorëve, Hoti thotë se sistemi shëndetësor në Kosovë ka 162 respiratorë, 95 janë në sektorin publik, 47 në sektorin privat të shëndetësisë, të cilët mund të shërbejnë për nevojat e sektorit publik në rast të një fluksi të të infektuarve me koronavirus.
Po ashtu gjatë kësaj jave, Hoti tregon se kanë pranuar edhe 20 respiratorë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe disa të tjerë pritet të arrijnë gjatë kësaj jave.
“Gjatë kësaj jave pritet që edhe 25 respiratorë të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjashtë nga Katari dhe në kuadër të kontingjentit prej 5 milionë euro të Bashkimit Evropian për COVID-19, një numër i konsiderueshëm i respiratorëve të tjerë pritet që të jenë pjesë e kontingjentit të respiratorëve që do t’i ketë në dispozicion sistemi shëndetësor i Kosovës”, tha Hoti duke shtuar se edhe Qeveria e Kosovës do t’i blejë 30 respiratorë.
Rritet numri pacientëve të hospitalizuar me COVID-19
Numri i rasteve me COVID-19 ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit në Kosovë. Brenda tre ditëve janë shënuar 231 raste të reja me koronavirus, duke mbingarkuar kështu edhe numrin e pacientëve të hospitalizuar.
Derisa në javët e kaluara numri i të hospitalizuarve nuk arrinte më shumë se 20, më datën 15 qershor, numri i pacientëve të hospitalizuar në Klinikën Infektive ka qenë 43.
Që nga 13 marsi, ku u shfaqen rastet e para me koronavirus në Kosovë, deri më tani janë regjistruar 1,615 raste. Prej tyre janë shëruar 963 persona, ndërkaq 33 pacientë kanë vdekur.
Rritja e numrit të rasteve ka ngritur shqetësim në Kosovë. Autoritetet kanë paralajmëruar rikthimin e masave të izolimit, nëse qytetarët nuk i respektojnë rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.
Sektori i varfër i shëndetësisë
Sektori publik shëndetësor në Kosovë prej vitesh vuan nga mungesa e pajisjeve mjekësore për punë.
Kosova në fillim të pandemisë ishte përballur me mungesë të shumë pajisjeve të cilat nevojiteshin për trajtimin rasteve me COVID-19.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare i dhuruan Kosovës donacione gjatë periudhës së përballjes me COVID-19. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) pati ndihmuar Kosovën me 36,200 doreza, 33,600 maska kirurgjike dhe mijëra pajisje tjera mbrojtëse mjekësore.
Hua ndërkombëtare për përballjen me COVID-19
Në mbledhjen e qeverisë të datës 15 qershor, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se me sukses kanë përfunduar negociatat rreth marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Botërore.
Marrëveshja në vlerë prej 46 milionë eurosh, sipas Bajramit, me një pjesë të këtyre fondeve, do të shërbejë si ndihmë për shëndetin publik në Kosovë.
“Projekti do të ndihmojë sektorin shëndetësor me pajisje mjekësore, të cilat kanë qenë të nevojshme një kohë të gjatë, por në këtë situatë epidemiologjike janë më shumë të nevojshme për t’u përballur me pandeminë. Kredia në pjesën shëndetësore do të mbulojë zgjerimin e Klinikës Infektive, trajnimin e stafit mjekësor dhe përgatitjen e tyre për detektimin më të shpejtë të rasteve”, tha Bajrami.
Kjo marrëveshje hyn në fuqi pasi që të bëhet ratifikimi i saj në Kuvendin e Kosovës.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu