Një raport i Ministrisë së Drejtësisë qarkulloi së fundmi në media i ndjekur dhe nga një kërkesë për shkarkimin e të gjithë drejtorëve të Arsimit në vend.
Vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, shpalli një ditë më parë thirrjen për drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, e sheh këtë zhvillim si një lëvizje brenda të majtës dhe jo në funksion të arsimit.
Ai nuk e sheh të motivuar as në treguesit për arsimin qe qeveria herë pas herë proklamon.
Mehmeti:
Me një të rënë të lapsit këta të përfshijnë. Nuk e di sesi mund të heqësh të gjithë drejtimin e arsimit parauniversitar duke filluar nga drejtori i përgjithshëm deri poshtë nëpër rrethe. Më bën përshtypje nëse dokumenti i publikuar është i vërtetë, thoshte shkarkim me masë disiplinore.Çfarë do të thotë? Këta kanë bërë shkelje shumë të rënda apo shkelje qofshin dhe të lehta, këta njerëz nuk mund të jenë më në arsim. Këta janë emëruar në vende të tjera diku me ngritje dhe diku paralel. Këta u zgjidhën me konkurs, si ka mundësi të hiqen kaq thjeshtë?Çfarë pasojash po lënë mbrapa këta?
Ne kemi thënë se arsimi po shkon nga fitorja në fitore. Ne kemi një arsim të mrekullueshëm që duhet ta kenë bërë këta njerëz kaq të ndritur. Pse largohen këta, cila është arsyeja? Duket që ka një lëvizje brenda vetes që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm ndërrojnë vendet me njëri-tjetrin. Vetë Tirana ka ndërruar 4-5 drejtorë në kaq pak vite. Të na thonë si u sollën si u gjetën ish-deputetë, ish-kryetarë të PS në rrethe dhe u vendosën në postet më të larta. A mban njeri përgjegjësi? Nuk është hera e parë që ndodh, 59 drejtues në rrethe i ka hequr me një të rënë të lapsit ministrja e Arsimit në 2013 pa bërë një analizë.
Duke kujtuar se e njëjta skemë u ndoq nga kjo mazhorancë dhe në 2013, Mehmeti kujton pasojat e atij vendimi në emër të reformimit.
Mehmeti:
Në arsimin parauniversitar ishim në 2015 në vendin e 51-të në PISA në 2018 vajtëm në vendin e 61-të. Të zbresësh 10 vende këta e quajnë arritje. Ne do mbyllnim klasat përgatitore dhe kemi 22 mijë. Ministrja tha se po punojmë fort të nxjerrim abetaren e përbashkët. Abetarja nuk nxirret me të punuar fort me të punuar tamam. Çdo 8 vjet do nxjerrim një abetare? Ne vetëm shqip nuk u mësojmë fëmijëve, në klasë të parë do futim anglishte, gjuhën e kodimit, mos të na tregojnë ndonjë dashuri të madhe për gjuhën shqipe. 22 mijë veta janë në klasa kolektive, 10% e arsimit 9-vjeçar. Si mësojnë këta?
Për Mehmetin, para ndërrimit të drejtorëve arsimi parauniversitar ka të tjera emergjenca që nuk presin.
Mehmeti:
Çfarë bëhet me ndërtesat që u shkatërruan gjatë tërmetit? U harruan. Simboli në Tiranë është “Sami Frashëri”. Është e dhimbshme tu thuash nxënësve të “Sami Frashërit” ju vërtet nuk ishin në shkollë ama diplomimin do ta bënin në shkollë. Ata se panë një ditë shkollën nga 2019 por do bëjnë diplomimin, kjo është tallje.