Ermir Lenjani është shprehur se goli ndaj Danimarkës, ishte i veçantë dhe shumë emocionues për të. Në një prononcim të dhënë së fundmi, lojtari është shprehur, nëse do ketë një projekt dhe kontratë të mirë, do pranonte të kalonte te Tirana në të ardhmen.
“Kemi një president me të vërtetë të çmendur. Kur vendosi të na largojë, u bë e madhe në Zvicër dhe tashmë ka vendosur të na rikthejë 4 prej nesh, ndërsa 5 të tjerët jo.
Goli ndaj Danimarkës? Normal kur shënon ndjen një emocion i veçantë, që kur e mendon të dridhet trupi.
Panuçi? Të gjithë lojtarët kur vijmë tani në Kombëtare, jemi më të lirshëm se sa ishim me Panuçin. Me të nuk isha vetëm unë që kisha problem, të gjithë lojtarët ishin të pakënaqur. Nuk dua të flas keq për tani, pasi si lojtar ka qenë i mirë, por mua nuk më pëlqen si karakter.
Ndaj Serbisë ishte e veçantë, ndërsa ne mundoheshim të mbronim vetëm flamurin. Ivanoviçi erdhi direkt te ne dhe kërkoi falje. Por me atë që pamë në fushë, ne nuk mund t’i besonim ata dhe të ktheheshim në fushë.
Në kohët e fundit kam luajtur më shumë përpara dhe kisha mundësi të shënoja gola.
Mbyllja e karrierës te Tirana? Nuk i dihet ku do e mbyll karrierën. Nëse ka diçka shumë serioze, atëherë mund të kaloja edhe te Tirana. Nuk i dihet për të ardhmen, nëse mbyll kontratën këtu mund të shikoj një ekip tjetër dhe të shkoj aty ku do përshtatesha.”, u shpreh Lenjani.