Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njofton se sot më dt. 23 prill 2022, po zhvillohen zgjedhjet për Kryetar të PD në disa degë.
Në Kurbin janë 1346 votues gjithsej me të drejte vote të cilët do të votojnë për Gjergj Oroshin, Islam Ismalji, Isuf Xhaferri, Vladimir Korriku. Procesi ka vijuar normalisht që prej ores 08:00 të mëngjesit, ku duket se që në oret e para ka një numer të lartë votuesish.
Edhe demokratët e Durrësit do të zgjedhin sot kreun e ri të degës. Që në hapjen e procesit të votimit që po zhvillohet në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” interesi i anëtarësisë për të votuar paraqitet i lartë.
Në këto zgjedhje, të organizuara nga Komisioni i Rithemelimit, garojnë përballë njëri-tjetrit tre emra të njohur për demokratët dyrrsakë: Ardian Muka, Igli Cara dhe Osman Stafa. Cara dhe Stafa kanë qenë ish-drejtues të kësaj dege dhe synojnë të marrin sërish drejtimin e saj, ndërkohë urbanisti Muka vjen në këtë proces pasi siguroi mbështetjen e shumicës së demokratëve, por dhe mjaft qytetarëve durrsakë si kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit nën siglën e “Shtëpisë së Lirisë”. Osman Stafa e ka drejtuar degën lokale deri në vitin 2016 kur u shkarkua nga kryetari i atëhershëm i PDSH-së Lulzim Basha.
Në zgjedhje për të zgjedhur kryetarin e ri janë ftuar edhe demokratët e Matit. Rreth 1130 anëtarë të kësaj dege do të zgjedhin mes kandidatëve Denisa Vata, Besnik Muharremi dhe Xhezmi Dika.