Situata në qarkun e Dibrës vijon të jetë problematike për shkak të reshjeve të dëborës. Mësohet se prej katër ditësh njësia Lurë është e bllokuar, ndërkohë që lëvizja bëhet vetëm drejt Rrëshenit, por me shumë vështirësi.
Sakaq, rruga nga njësia Lurë drejt Peshkopisë është e bllokuar nga bora, ndërsa disa fshatra janë të izoluara ku trashësia e dëborës varion nga 40-50 cm.
Probleme ka dhe në Terrnovë të madhe dhe Terrnovë e vogël dhe në disa fshatra të Martaneshit, ndërsa energjia elektrike ka munguar në disa zona. Po ashtu, probleme raportohen edhe në Rrugën e Arbrit, konkretisht në By-Passin në qafën e Murrizit. Aktualisht borëpastrueset vijojnë punën për hapjen e rrugëve të bllokuara.