Florent Hadërgjonaj nuk e ka përjashtuar mundësinë për t’u kthyer te ish-skuadra, Huddesfield në Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez, por thotë se tani është i përqendruar t’i kthehet futbollit me skuadrën e vet turke, Ksimpasa.
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës u transferua në janar te Kasimpasa, hapi i radhës së një karriere që, pavarësisht moshës së re, e ka parë të luajë që nga Young Boys në Zvicër, e deri te Ingolstadt apo Huddersfield në Angli, karrierë për të cilën është pa dyshim krenar.
“Kur mbërrita këtu, në Turqi, nuk ka qenë gjithçka e lehtë, siç mund të tregojnë shifrat. Është dashur shumë sakrificë, stërvitje. Sigurisht që edhe fati ka pjesën e vet, sepse duhet të tregosh vlerat në kohën dhe vendin e duhur. Kam bërë hapat e mi në karrierë, tani jam në Turqi, por ky Koronavirusi na la pa ndeshje”, tha ai.
Hadërgjonaj flet edhe për një projekt serioz të Kasimpasas, klub që, pavarësisht vështirësive të momentit, ka ambicie të mëdha.
“Ekipi ka cilësi, kemi luajtur me lojtarë si Quaresma që kanë shumë kualitet. Ambiciet janë për shumë më lart. Synimi është që sezonin tjetër të jemi në gjashtë apo shtatë vendet e para”, shtoi ai.
Megjithatë, 25-vjeçari është ende nën kontratë me Huddersfieldin dhe nuk e përjashton një rikthim në futbollin e Mbretëreshës, pas huazimit në Turqi.
“Kur u largova nga Huddersfieldi, si i thonë, kam ikur nga dera e madhe. Nuk kemi biseda të këqija, unë kam dashur të provoj diçka të re. Ata janë ende në kontakt me mua, pra komunikojmë shpesh nëpërmjet telefonit. Të shohim tani se çfarë do të ndodhë. Nuk ka shumë kohë, duhen parë edhe rregullat e transferimit dhe çfarë dëshirojnë dy klubet, Huddersfieldi dhe Kasimpasa. Gjithçka është e hapur, kryesorja është t’i kthehemi ndeshjeve”, theksoi ai.