Shtetet e Bashkuara regjistruan të enjten numër rekord të të infekturave nga koronavirusi – mbi 40,000 – bënë të ditur të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.
Rekordi i mëparshëm në SHBA, i regjistruar nga ky institucion, ka qenë më 24 prill me 36,400 raste të reja, ndonëse atëbotë janë bërë më pak teste.
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar gjithsej mbi 2.4 milionë të infektuar me koronavirus dhe mbi 122,370 viktima – më shumë se çdo vend tjetër në botë.
Zyrtarët shëndetësorë në SHBA vlerësojnë se numri real i rasteve ka të ngjarë të jetë dhjetë herë më i lartë se shifra e raportuar.
“Llogaritja jonë më e mirë është se për çdo rast që është raportuar kanë qenë edhe dhjetë të infektuar të tjerë”, tha drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, Robert Redfield.
Ai tha se 5-8 për qind e popullsisë i është ekspozuar virusit dhe u bëri thirrje amerikanëve që të mbajnë distancën fizike, të vendosin maska dhe të lajnë duart.
Parashikimet e Universitetit të Uashingtonit janë që numri i viktimave në SHBA të arrijë deri në 180,000 deri në tetor, ose në 146,000 nëse amerikanët mbajnë maska.
Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 9.6 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 4.8 milionë janë shëruar, ndërsa afro 490,000 kanë vdekur.
Burimi: top-channel.tv