Reja dhe Cana për mediat italiane: Stadium i mrekullueshëm, do të impresionoheni

0
Reja dhe Cana për mediat italiane: Stadium i mrekullueshëm, do të impresionoheni
Gjigandi

Roma rikthehet në një finale europiane pas 31 vitesh, Feyenoord pas 20 vitesh. Finalja e Tiranës do të jetë mbi të gjitha shqiptare, sepse vendi ynë ka fituar për herë të parë në histori të drejtën e organizimit të një eventi të këtyre përmasave.

Çmim për punën e shkëlqyer të bërë nga FSHF në vitet e fundit, gjë që është reflektuar edhe në paraqitjen e kombëtares shqiptare. Lidhur me këtë ndeshje të shumëpritur në kryeqytetin shqiptar, trajneri ynë kuqezi Edy Reja ka folur në mediat italiane.

Konkretisht, në mikrofonat e “Tuttomercatoweb”, veterani i trajningut italian ka pohuar: “Është një arsye e madhe kënaqësie për të gjithë vendin dhe për federatën që është shpërblyer me këtë finale europiane. Personalisht jam i lumtur se kemi një skuadër italiane në këtë finale.

Për më tepër, në Shqipëri ka shumë tifozë të Romës, ndaj do të jetë pak si të luajë në shtëpi skuadra e Mourinhos. Shqiptarët ndihen më shumë italianë se holandezë. Plus kësaj; shqiptarët na kanë më shumë në konsideratë se italianët veten”. Edhe trajneri i kombëtares shqiptare e promovon kryeqytetin me ngjyra: “Është qytet i bukur, padyshim europian, i këndshëm për t’u vizituar”.

Kuriozitet i madh për “Arenën Kombëtare”, teatrin e eventit: “Një stadium i mrekullueshëm, mikpritës. I bërë sipas masës për kombëtaren tonë. Fatkeqësisht, ka pak vende në krahasim me kërkesën, e imagjinoj se sa romanistë do të kishin dashur të ishin atje. Do të shihni, do të befasoheni këndshëm”.

RonaTyra

Për të njëjtën media italiane ka folur edhe Lorik Cana, ish-kapiteni ynë i kombëtares, pjesë e Lazios në Serie A, në të shkuarën: “Si shqiptar, sigurisht që jam krenar që mund të organizojmë një event të tillë. Në fund të fundit, për të pritur një finale evropiane duhet të kesh disa parametra dhe kjo tregon rritjen dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi, të shoqërisë dhe infrastrukturës së tij.

Nuk pata fatin ta luaja në “Arena Kombëtare”, pasi u ndala më 2016. Është një objekt spektakolar, i ndërtuar në vendin historik të ish-stadiumit kombëtar. Puna e arkitektit Casamonti ishte diçka e pabesueshme, është një nga stadiumet më modernë në Evropë dhe kjo na bën edhe më krenarë.

Është një objekt modern dhe i veçantë arkitekturor, ndeshja shihet shumë mirë nga çdo pikë e stadiumit. Ndodhet në qendër të qytetit, ideal për të shijuar finalen. Nuk është shumë i madh, por për lojtarët, standardet e vendosura nga UEFA ka gjithçka në rregull.

Shqipëria është super mikpritëse dhe e sigurt. Sigurisht që nuk do të ketë asnjë problem sigurie, ne e dimë rëndësinë e ngjarjes. Tifozët e Romës dhe Feyenoord do të gjejnë njerëz mikpritës dhe do të kenë përvojën më të mirë të mundshme. Nga ana tjetër, si kur shkon në shtëpinë e dikujt, padyshim që pres që vendi të respektohet, por nuk kam asnjë dyshim se do të ketë respekt të ndërsjellë.

Ne duam të lëmë përshtypje të mira, duke qenë hera e parë që organizojmë një ngjarje të këtyre përmasave. Ndoshta jo gjithçka do të jetë perfekte, por është duke u punuar shumë. Si tifoz i Marseille, më vjen keq që nuk e pashë në finale. Për pjesën tjetër them se Roma dhe Feyenoord e merituan të vinin këtu. Mendoj se vedhekuqtë, edhe për afinitetin mes Shqipërisë dhe Italisë, do të kenë simpati më të mëdha në Tiranë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu