Kryetari i Partisq Demokratike Lulzim Basha ishte i pari nga liderët që e përshëndeti marrëveshjen. “Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve”, tha Basha, i cili falenderoi ndërkombëtarët për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama tha se pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë Lulzim Basha dhe Partia Demokratike janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata”, thotë Rama, sipas te cilit rëndësi ka që Basha dhe PD do te hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. “ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, shkruan Rama.
Ndërkohë presidenti Ilir Meta përgëzoi Këshillin Politik për konsensusin e sapo arritur për Reformën Zgjedhore. “Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave”, thotë zëdhënësi i kreut të shtetit.
Shkruar nga: top-channel.tv